Boksieri meksikan Pedro Antonio “Tony” Rodriguez ka ndërruar jetë vetëm disa orë pasi humbi një ndeshje të zhvilluar të shtunën në mbrëmje.
Rodriguez, 37 vjeç, u përball me boksierin 21-vjeçar Phillip Vela në Phoenix të Arizonës, në një duel të quajtur “Brawl in the Barrio”. Ai nuk ishte favorit në këtë përballje, ndërsa Vela, i pamposhtur, e fitoi ndeshjen me vendim unanim pas gjashtë raundeve.
Pas ndeshjes, Rodriguez ishte kthyer në hotel dhe kishte planifikuar të dilte për darkë. Por mëngjesin e së dielës, stafi i hotelit e gjeti të pajetë në dhomën e tij, pasi nuk ishte paraqitur për transportin që do ta çonte në aeroport. Shkaku zyrtar i vdekjes nuk është konfirmuar ende, ndërsa policia po heton nëse ka ndonjë lidhje me goditjet e marra gjatë ndeshjes.
Bashkëshortja e tij tha:
“Më telefonoi sapo përfundoi ndeshja. Më bëri edhe video-thirrje nga hoteli. Më tha se do dilte për të blerë për darkë dhe do kthehej, sepse në orën 3:30 të mëngjesit do t’i merrnin për në aeroport. Kjo ishte hera e fundit që folëm. Nuk e di çfarë ndodhi. Jam e hutuar. Duhet të presim raportin zyrtar.”
Ndërkohë, Vela reagoi me një mesazh prekës në rrjete sociale:
“Jam thellësisht i pikëlluar. Faleminderit që ndamë ringun për gjashtë raunde. Lutjet e mia janë me familjen tënde. Prehu në paqe, kampion.”