Deputeti i zgjedhur i PDK’së, Abelard Tahiri, ka dalë me një reagim pasi Presidentja Vjosa Osmani caktoi 15 prillin si datë për seancën konstituive të Kuvendit të Kosovës.
Tahiri ka thënë se formimi i menjëhershëm i institucioneve të reja me një qasje ndryshe nga ajo gjatë katër viteve të fundit është më se i domosdoshëm, duke kërkuar Qeveri që drejtohet nga Bedri Hamza.
“Kosova mundet #mamirë me një qeveri të drejtuar nga Bedri Hamza, e cila do të jetë në gjendje të adresojë efektivisht sfidat e shumta që e presin vendin. Qytetarët e Kosovës kanë folur qartë me votën e tyre. Tani është koha për veprim institucional konkret dhe të përgjegjshëm”, ka shkruar Tahiri.
Tahiri ka thënë se Kosova gjendet sot përballë një sërë sfidash urgjente dhe shqetësuese.
“Kostoja e jetesës po bëhet e papërballueshme për shumë familje. Qytetarët tanë kanë nevojë për një qeveri që vendos mirëqenien dhe interesat e tyre në qendër të agjendës së saj. Siguria publike është përkeqësuar ndjeshëm. Rritja alarmante e rasteve të vrasjeve dhe krimeve të tjera të rënda po cenon seriozisht e sigurin në shoqërinë tonë. Sanksionet e Bashkimit Evropian që rëndojnë mbi vendin tonë po dëmtojnë subjektivitetin ndërkombëtar dhe po rrezikojnë të ardhmen euroatlantike të Kosovës”, ka shkruar ai.