Taulant Hodaj, nga FFF-ja, ka thënë se nëse nuk licencohet Federata e Futbollit e Kosovës nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, do t’i drejtohen gjykatës.
Hodaj këto komente i ka bërë në “Sports Shoë” në Klan Kosova, ku ka potencuar se kush nuk vendos sipas tij sipas rregullave, ka të drejtën që t’i drejtohet gjykatës, njofton Klankosova.tv.
“Federata e Futbollit e Kosovës do t’i plotësoj të gjithë kërkesat që kërkohen me ligjet e aplikueshme me udhëzimet administrative dhe patjetër që do të licencohet”.
“Nëse nuk licencohet nga një komision i një ministrie, do të licencohet nga gjykata, gjykatat janë kompetente, për të vendosur për të parë nëse ka mosmarrëveshje mes federatës dhe komisionit përkatës të ministrisë”.
“Kemi parë tendenca që komisioni t’i keqinterpretoj apo të ushtrojë kërkesat që nuk janë në udhëzim administrativ. Ua kemi bërë me dije ato. Fatmirësisht që vendimi nuk merret nga komisioni por nga ministri, dhe ne do të presim vendimin e ministrit, do të vendosë konform rregullave. Kush nuk vendos konform rregullave, ka të drejt t’i drejtohet gjykatës”.