Live

Çka ndodhi në seancën e parë konstituive të Kuvendit?

09:26 / 17 Prill 2025

Nga Kosova Live

Sot me fillim nga ora 12:00, do të vazhdojë seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës.

Kjo seancë e cila nisi të martën e 15 prillit dështoi, pasi që nuk kaloi raporti i Komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve.

Në mënyrë solemne, seanca u hap nga deputeti më i vjetër, Avni Dehari i Lëvizjes Vetëvendosje, i ndihmuar nga deputetja më e re, Sala Jashari nga Partia Demokratike e Kosovës, ashtu edhe siç parashihet me rregulloren e Kuvendit.

Në vijim, Komisioni i përkohshëm për verifikimin e mandateve paraqiti raportin e tij, një hap procedural thelbësor për vazhdimin e procesit të betimit dhe konstituimit të Kuvendit.

Në një atmosferë të tensionuar politike, raporti nuk mori mbështetjen e nevojshme për miratim.

Vetëm 52 deputetë votuan pro, 46 ishin kundër dhe 11 abstenuan – duke bërë që raporti të mos kalojë.

Arsyeja e këtij mosvotimi nga ana e opozitës, ishte kërkesa për dorëheqje për Albin Kurtin, nga pozita e kryeministrit, si dhe të kabinetit qeveritar.

Duke qenë se e pa të pamundur vazhdimin e seancës, Dehari e ndërpreu seancën.

Me këtë rast, ai si kryesues i Kuvendit, i kërkoi presidentes Vjosa Osmani, një mendim për vazhdimin e seancës.

Ndërkaq, e para e shtetit iu kërkoi deputetëve që mos ta bllokojnë seancën e mos ta bllokojnë krijimin e institucioneve.

Mbetet të shihet nëse sot, kandidatët e zgjedhur për Kuvendin e Kosovës, do ta bëjnë betimin e deputetit, duke krijuar kështu kushte edhe për nisjen e procedurave për votimin e kryetarit të Kuvendit.

Nëse ndodh sot votimi i kryetarit, krijohen kushte për të vazhduar me votimin e Qeverisë.

Për këto dyja, nevojitet vota e 61 deputetëve, për të cilat partia fituese thotë se i ka

Shpërndaje në

U Kopjua