Live

Daçiq ironizon me deklaratën e QUINT-it

18:54 / 15 Gusht 2019

Nga Kosova Live

Deklarata e shteteve anëtare të vendeve të QUINT-it (ShBA, Britania e Madhe, Franca, Gjermania dhe Italia), përmes së cilës i bëhej thirrje Serbisë që ta ndërpresë menjëherë fushatën për heqjen e njohjeve ndaj Kosovës, si duket ka hasur në vesh të shurdhër. Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se procesi i tërheqjes së njohjeve për Kosovën është i pandalshëm dhe i pakthyeshëm.

Për më tepër, kryediplomati serb ka thënë se këtë javë ka ardhur edhe një vendim tjetër për tërheqje të njohjes së pavarësisë së Kosovës, por, sipas tij, vendimi nuk është publikuar pasi “Serbia nuk ka dashur që këtë javë atyre t’ua prish rehatinë”.

“Nuk kemi dashur t’u shkaktojmë dëme në gjendjen shëndetësore atyre që i shkruan komunikatat e QUINT-it t dhe të atyre nga Prishtina”, është shprehur me mburrje e cinizëm ministri serb Daçiq të enjten në një paraqitje publike.

Sipas tij, kumtesa e vendeve të QUINT-it në lidhje me vazhdimin e dialogut me Kosovën, në Serbi “është kuptuar pak si shumë seriozisht”.

“Asgjë të re nuk kanë thënë. Ajo që është bërë publike tregon se ata po përpiqen të na i ngarkojnë disa muaj më shumë”, është shprehur Daçiq, duke shtuar se e gjitha filloi me presione ndaj presidentit Aleksandar Vuçiq.

Sipas Daçiqit, “sjellja e Prishtinës është atak ndaj integritetit të Bashkimit Europian, i cili, sikundër edhe bashkësia ndërkombëtare, është sjellë papërgjegjshëm. Askush tani nuk e përmend Bashkësinë e Komunave Serbe, formimin e Ushtrisë, të gjitha ato që janë shkelur nga Marrëveshja e Brukselit”, ka thënë Daçiq.

Shpërndaje në

U Kopjua