Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumi Abdixhiku, ka thënë se seanca konstituive e Kuvendit të Republikës duhet të mbahet e të thirret më së largu çdo 48 orë.
Abdixhiku deklaroi se nesër, nga ora 10:00, siç e parasheh Rregullorja e Kuvendit të Kosovës, deputetët e LDK-së do të jenë prezent në seancën që duhet të ndodhë.
“LDK-ja i fton të gjithë deputetët e certifikuar dhe të gjitha partitë parlamentare, të jenë prezent në këtë seancë”, tha ai.
Kreu i LDK-së sërish e ftoi kabinetin qeveritar të dorëhiqet.
“Njëkohësisht, ftojmë kabinetin qeveritar, që pretendojnë se janë dorëhequr por ende, dhe paradoksalisht, mbajnë mbledhje qeveritare dhe marrin vendime, të dorëhiqen dhe këto dorëheqje t’i deponojnë te organet e Kuvendit të Kosovës. Të tjerët anëtarë të Qeverisë që s’janë apo s’duan të betohen si deputetë, vazhdojnë punën në Qeveri; deri në zgjedhjen e Qeverisë së re”, theksoi i pari i LDK-së.
“Betimi i deputetëve ndodhë!
Kushtetuta mbrohet!
Shteti funksionon!
Logjika dhe demokracia triumfojnë!”, shtoi Abdixhiku.
Lumir Abdixhiku shtoi se zvarritjet e tjera janë veçse kalkulime politike me qëllim të dëmtimit të shtetit, demokracisë dhe rendit kushtetues!
“Nesër, nga ora 10:00, mblidhemi në seancë. Le të kuptohen qartë bllokuesit institucional e mosrespektuesit e Rregullores, Ligjit e vet Kushtetutës!”, tha ndër të tjera kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.