Korab Rashiti, deputeti shqiptar në kantonin e Bernit në Zvicër, ka bërë një krahasim se sa për qind të pagës i nevojitet një familje zvicerane dhe sa një familje kosovare në pagesën e 1000 kWh të energjisë elektrike, përderisa në Kosovë po ka shqetësime për një rritje të mundshme të çmimit të rrymës.
Rashiti e ka quajtur “tmerr të pafund” rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
Sipas krahasimit që Rashiti ka bërë, një familje mesatare në Kosovë shpenzon 14% të pagës për 1000 kWh të energjisë elektrike. Kurse, në Zvicër një familje mesatare shpenzon vetëm 2.94% të pagës së saj për të njëjtën energji elektrike.
“Menaxhimi dhe strategjia energjetike në Kosovë është një tmerr i pafund dhe ata duan përsëri ta rrisin çmimin e kWh në Kosovë. Mos harro atë që thashë disa javë më parë: tatimi fiskal në të ardhmen në Kosovë do të kalojë përmes çmimit të kWh!Këtu është një krahasim duke marrë parasysh fuqinë blerëse midis Kosovës dhe Zvicrës, duke pasur parasysh që të ardhurat ne në Kosovë janë 540 euro, ndërsa në Zvicër 6800 euro”, ka thënë ai.