Deputetja e Vetëvendosjes, Mirlinda Tishukaj-Sadiku, i ka reaguar deputetit të PDK-së, Ardian Kastrati, i cili gjatë fjalës së tij nga foltorja e Parlamentit iu drejtua disa deputetëve të Vetëvendosjes me fjalë që komentonte pamjen.
Për këtë, Tishukaj-Sadiku tha se gjuha ofenduese është standard i PDK-së, derisa përmendi edhe rastin kur Kastrati kishte ofenduar edhe presidenten Osmani.
“Gjuha bullizuese, seksiste, ofenduese është standard i PDK-së. E kanë dëshmuar shumë herë, mirëpo këtu e kemi një deputet i cili vjen në Parlament me korrespodencë, ka përdorur gjuhë bullizuese edhe ndaj pamjes fizike të presidentes. Është një shoëman që sa herë del në foltore s’flet asnjëherë në mënyrë substanciale për temat që trajtohen, por s’pritet më mirë prej një plagjiatori”.
Ardian Kastrati pastaj replikoi me të, duke i thënë se “s’ka kalori intelektuale”.
“E para e punës unë s’e pata me ty me frizere, por me një tjetër, s’e di pse reagove. E dyta, s’ke kalori intelektuale të mjaftueshme për më tregu kush e ka bullizuar Vjosa Osmanin. Unë e kam cituar Faik Konicës dhe në fakt juve ua kam nxjerrë bullizimin prej barku, pastaj i jeni gjuajtur asaj. Hajde ditën e mirë!”.