Live

Dërgohet në Turqi për trajtim sigurimi që u plagos gjatë grabitjes së armatosur në Veternik

15:37 / 01 Prill 2025

Nga Kosova Live

Punëtori i sigurimit që u plagos gjatë grabitjes së armatosur në Veternik, tashmë është transferuar për në Turqi për trajtim të mëtejmë.

Lajmin për Klan Kosovën e ka konfirmuar drejtori i Klinikës së Anestezionit me Mjekim Intensiv, Gazmend Sapahija.

Lidhur me rastin, televizioni kishte raportuar javën e kaluar për gjendjen e tij.

Xhavit Gashi, drejtor i Ortopedisë në QKUK, pati thënë për Klan Kosova se ka gjasa që punëtori i sigurimit të mbetet i palëvizshëm.

“Dje (25 mars) kanë qenë kolegët nga reparti ynë dhe e kanë vizituar, në momentin që është bërë zgjimi nga anestezioni, në testimin preliminar nuk ka pasë lëvizje”.

“Sipas njohurive, sërish është dashtë të bëhet intubimi i pacientit pasi gjendja nuk ka qenë stabile. Nga ajo që kemi vërejtur ka plagë, të cilat e kanë dëmtuar në masë shumë të madhe boshtin kurrizor në pjesën e shpinës. Sipas të gjitha gjasave, ka mbetur i palëvizshëm”, pati deklaruar Gashi.

Më 17 mars, te qendra tregtare “Albi Mall” në Veternik ndodhi një grabitje e armatosur. Të dyshuarit kanë shtënë me armë zjarri ndaj punëtorëve të sigurimit të një kompanie që bën bartjen e parave për një bankë.

Nga ky rast, i plagosur mbeti një pjesëtar i sigurimit, sikurse edhe njëri nga të dyshuarit.

Ky i fundit, i nacionalitetit serb, ishte arrestuar dhe ishte dërguar nën arrest për trajtim në QKUK, por nuk kishte arritur t’u bëjë ballë plagëve dhe kishte vdekur. 

Shpërndaje në

U Kopjua