Live

Dëshpëruese: Policët e Njësive Speciale mbeten pa pagesa për orët shtesë para Bajramit

21:07 / 28 Mars 2025

Nga Kosova Live

Njësitë e Veçanta të Policisë së Kosovës, të cilat çdo ditë janë në vijën e parë të mbrojtjes së sovranitetit dhe luftës kundër krimit në gjithë vendin, veçanërisht në veri, janë përballur sot me një zhgënjim të madh. Pavarësisht dhjetëra e qindra orëve shtesë të punuara, zyrtarët policorë nuk i kanë marrë pagesat për punën jashtë orarit në pagën e fundit.

Në kushte anonimiteti, një pjesëtar i Njësisë për Reagim të Shpejtë (NjRSh) ka shprehur për Sinjalin shqetësimin për këtë situatë, duke theksuar se përkundër angazhimit të jashtëzakonshëm, shtesat nuk janë ekzekutuar.

“Jam në njësinë speciale për reagim të shpejtë dhe kam punuar shumë pas orarit për shkak të rasteve dhe numrit të vogël të policëve. Kur doli sot paga, e kemi parë se nuk janë ekzekutuar shtesat, pra paga e orëve shtesë. Nuk po e kuptoj pse me ndodh kjo, sidomos që është Bajrami të dielën..”, tha ai për Sinjalin.

Kjo situatë ka krijuar pakënaqësi të thellë mes zyrtarëve policorë edhe të njësive të tjera të Policisë së Kosovës, me të cilët Sinjali ka kontaktuar dhe kanë deklaruar se ndihen të anashkaluar dhe të pavlerësuar për sakrificën e tyre të përditshme.

Kujtojmë se në të kaluarën, Sindikata e Policisë ka ngritur shqetësime të ngjashme, duke kërkuar që pagesat për punën shtesë të bëhen në mënyrë të rregullt dhe pa vonesa.

Shpërndaje në

U Kopjua