Statusi i mysafirit special në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën, është në agjendë në mbledhjen që pritet të mbahet më 5 mars të javës së ardhshme në Strasburg.
Sipas draft-agjendës së Komitetit për Çështje Politike dhe Demokraci, çështja e Kosovës është në agjendë si pika e pestë e rendit të ditës, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“5. Kërkesë për statusin e mysafirit special nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në draft-agjendë.

Kosova me një letër të dërguar në fund të nëntorit të vitit të kaluar kishte kërkuar statusin e mysafirit special në APKE.
Shteti i Kosovës, edhe pse ka aplikuar për pranim në Këshillin e Evropës dhe ka kaluar shumicën e procedurave të nevojshme, ende nuk është anëtare e plotë. Vitin e kaluar, APKE rekomandoi pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës, por ajo u pengua në këtë rrugë.
Sipas rregullores, Asambleja mund t’u japë statusin e mysafirit special parlamenteve kombëtare të shteteve evropiane jo-anëtare që kanë aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Anëtarët e delegacioneve të ftuar me statusin e mysafiret special nuk kanë të drejtë vote, por ata kanë të drejtën e fjalës.