Nuk janë të rralla rastet kur raportohet për përleshje fizike apo dhunë mes të miturve, të cilat ndodhin për arsye të ndryshme. E përpos grushteve, ata ndodh të përdorin edhe mjete të forta duke bërë kështu që shpesh të përfundojnë në spital si pasojë e lëndimeve të rënda që marrin.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë pas mesnatës në fshatin Nekoc të Drenasit, ku një 13-vjeçar është goditur në kokë me një mjet të fortë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se i mituri A.D., fillimisht është dërguar për të pranuar ndihmë mjekësore në QMF-në e Komoranit, ndërsa më vonë është dërguar në Emergjencën e QKUK-së, për trajtim të mëtejshëm.
Në lidhje me rastin janë informuar njësitet policore, të cilët kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë konfiskuar një shkop druri dhe një boks hekuri, të cilat dyshohet se janë përdorur gjatë aktit dhunues.
Sinjali mëson se në lidhje me këtë rast, dy persona janë shoqëruar në stacionin e Policisë. Bëhet fjalë për një dëshmitar dhe të dyshuarin, i cili është po ashtu i moshës së mitur.
Me vendim të prokurorit, pas intervistimit, i dyshuari E.K. (16-vjeçar) është ndaluar për 24 orë dhe është dërguar në qendrën e mbajtjes në stacionin policor në Graçanicë.
Rasti po vazhdon të hetohet nga autoritetet dhe Sinjali do të vazhdojë ta monitorojë zhvillimin e ngjarjes.