Live

Dreshaj: Nëse VV’ja e krijon qeverinë do të jetë jetëshkurtër

19:04 / 31 Mars 2025

Nga Kosova Live

Ish-deputeti i AAK-së, Shemsedin Dreshaj, ka deklaruar se krijimi i institucioneve të Kosovës, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, varet nga kërkesat e akterëve politikë.

Ai në një prononcim për GazetaBlic, theksoi se një qeveri e formuar nga opozita e bashkuar do të ishte më stabile dhe më premtuese, ndërsa një qeveri nga Vetëvendosje do të ishte e pakicës dhe e mundshme vetëm për një periudhë të shkurtër.

“Për krijimin e institucioneve të vendit, bazuar në rezultatet e zgjedhjeve, të gjitha opsionet janë në tryezë dhe varen nga kërkesat e akterëve. Qeveria e krijuar nga opozita e bashkuar do të ishte më stabile dhe më premtuese. Nëse kjo mundësi do t’i ofrohet opozitës, varet nga Presidentja”, tha Dreshaj.

“Unë mendoj se, nëse krijohet qeveri nga VV, do të kemi një qeveri të pakicës, e cila do të jetë jetëshkurtër, ndoshta deri në zgjedhjet lokale ose deri te zgjedhja e presidentit”, shtoi ai.

Dreshaj parashikoi se krijimi i institucioneve mund të shtyhet deri në fund të korrikut, ndërsa zgjedhjet lokale dhe qendrore mund të mbahen në tetor, me Kurtin që synon të udhëheqë fushatën zgjedhore.

“Më shumë besoj se do të jemi dëshmitarë të një prolongimi maksimal të krijimit të institucioneve, diku rreth fundit të muajit korrik. Ndërsa, në javën e dytë të tetorit, do të kemi zgjedhje lokale dhe qendrore. Ky, mendoj, është synimi final i Kurtit: që vetë të udhëheqë kampanjën zgjedhore lokale dhe qendrore”, përfundoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua