Një grua 85-vjeçare nga komuniteti serb ka vdekur të shtunën pasi shtëpia e saj u përfshi nga flakët në fshatin Hoçë e Madhe, në komunën e Rahovecit.
Sipas Policisë së Kosovës, rreth orës 14:55 është raportuar për zjarrin, me ç’rast njësitet policore, zjarrfikësit dhe ekipet emergjente kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Pas shuarjes së flakëve, brenda shtëpisë u gjet trupi i pajetë i të moshuarës.
Dyshimet e para tregojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar aksidentalisht nga një stufë që përdorej për ngrohje. Megjithatë, shkaku përfundimtar i vdekjes pritet të konfirmohet pas ekzaminimit mjeko-ligjor, i cili është urdhëruar nga prokurori i shtetit.
Rasti është regjistruar si “incident zjarri” dhe “hetim i vdekjes” ndërsa autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.