Kryeministri i dorëhequr, Albin Kurti ka reaguar pas takimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije i cili po qëndron në Moskë, ku ka takuar presidentin rus, Vladimir Putin.
Siç thotë Kurti në një postim në “X”, se nga takimi i personave të lartpërmendur doli një zhvillim shqetësues.
“Patriarku bëri thirrje për një riorganizim më të gjerë gjeopolitik nën udhëheqjen ruse, duke përsëritur se “anija e vogël serbe”, që lundron në det të trazuar, duhet të jetë gjithmonë e lidhur me një anije të madhe ruse”.
“Kjo nuk është diplomaci fetare, është një partneritet strategjik i regjimeve autoritare, duke e vënë rajonin në rrezik serioz”, u shpreh tutje ai, njofton Klankosova.tv.
“Kosova, megjithatë, qëndron e vendosur në parimet dhe aspiratat e saj demokratike dhe pa mëdyshje refuzon agjendat revizioniste të drejtuara nga fuqitë autoritare”.
Ndryshe, Porfirije në takimin me Putinin, përcolli përshëndetjet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe konfirmoi se ai do të jetë në Moskë më 9 maj.
Rreth kësaj teme, zëdhënësi i BE-së për çështje të zgjerimit, Guillaume Mercier tha se është herët të paragjykohet nëse do të ketë pasoja për Serbinë pas deklarimit të presidentit serb, Alleksandar Vuçiq, se do të marrë pjesë në paradën e 9 majit në Moskë, që shënon Ditën e Fitores së Bashkimit Sovjetik ndaj forcave naziste.
“Nuk po themi se nuk do të ketë pasoja, por është herët të paragjykojmë. Nuk po spekulojmë pasi siç e dini po flasim për një ngjarje që ndodh më 9 maj dhe është herët për të treguar në këtë fazë”, deklaroi Mercier, raporton Klankosova.tv.
Poashtu, kryezëdhënësja e Komisionit Evropian, Paula Pinho, tha se as shtetet anëtare nuk duhet të marrin pjesë në këtë ceremoni e cila legjitimon luftën e Rusisë në Ukrainë.
“Duhet të përmbahemi të t’i japim legjitimitet kësaj lufte dhe të përmbahemi nga pjesëmarrja në festimet e 9 majit në Moskë dhe ky është pozicion me të cilin u pajtuan shtetet anëtare më 2022 në lidhje me ngjarjet e përgjithshme që ndodhin në Rusi”, deklaroi Pinho.
Kjo u tha pasi kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico ka deklaruar se do të marrë pjesë në këtë paradë në Moskë.