Numri i rasteve të dhunës në familje në vendin tonë ka marrë përmasa shqetësuese. Çdo ditë raportohen raste ku viktima zakonisht janë gratë dhe vajzat që përjetojnë dhunë psikike e fizike nga bashkëshortët e tyre dhe anëtarët tjerë të familjes. Një rast i rëndë ka ndodhur së fundmi në Prishtinë, ku një grua e re është detyruar të largohet nga shtëpia për të shpëtuar jetën.
Gazeta Kosovalive raporton ekskluzivisht për një dramë familjare që ka ndodhur dje. Një nënë 25-vjeçare, e cila kishte dy fëmijë, ka përjetuar tmerrin në duar të bashkëshortit të saj, rreth 26-vjeçar pas një mosmarrëveshjeje.
Siç mëson Kosovalive, 26-vjeçarja ishte e martuar prej tre vitesh me bashkëshortin e saj, i cili e goditi brutalisht me grushta në pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime të dukshme, për të cilat u desh ndërhyrja e mjekëve.
Burimet e Kosovalive bëjnë me dije se viktima, u dërgua menjëherë në një strehimore për të shpëtuar jetën dhe për të vazhduar jetën e saj dhe të fëmijëve të saj larg dhunës që kishte kërcënuar seriozisht sigurinë e tyre.
Ndërkohë, bashkëshorti i saj, është arrestuar dhe i ka mohuar akuzat për dhunë para hetuesve.
Lidhur me rastin është njoftuar edhe Prokurori i Shtetit, me vendim të së cilit i dyshuari është dërguar në ndalim për 48 orë, nën dyshimin për veprën penale “Dhuna në familje”.