Personi që u arratis para syve të Policisë te Pallati i Drejtësisë para disa javësh, ka përfunduar në prangat. I riu 22-vjeçar që iku pak minuta pasi iu caktua paraburgimi, tashmë është dërguar në vuajtje të dënimit.
I dyshuar për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Lëndim i rëndë trupor”, Leonard Halili arriti të ikë nga gjykata, më 14 shkurt.
Policia dhe Gjykata njoftuan për rastin po atë ditë, ndërsa më pas njësitë policore janë aktivizuar në kapjen e tij dhe tek para dy ditësh, kanë arritur ta lokalizojnë.
Kosovalive ka mësuar ekskluzivisht se Halili u arrestua në Prishtinë dhe më pas u dërgua në njërën nga qendrat e paraburgimit për ta vuajtur dënimin.
Kujtojmë se pas arratisjes së 22-vjeçarit, u arrestua një person i dyshuar që dyshohet se i ndihmoi atij për t’u arratisur.