Live

Ekskluzive: Droga nuk ndalet – I riu kapet me 7 qese marihuanë në Suharekë, ndalohet për 48 orë

12:20 / 26 Prill 2025

Nga Kosova Live

Rritja alarmante e përdorimit dhe shpërndarjes së narkotikëve nga të rinjtë vazhdon të jetë një fenomen shqetësues në gjithë Kosovën.

Kosovalive çdo ditë raporton ekskluzivisht për raste të reja ku të rinjtë bien në prangat e Policisë me substanca narkotike.

Një rast i tillë është shënuar edhe mbrëmë në Suharekë.

Burime të sigurta të Kosovalive bëjnë me dije se më 25 prill 2025, rreth orës 17:00, në rrugën “Hasan Prishtina”, Policia ndaloi një veturë Ford Fiesta të cilën e voziste i dyshuari D. Sh (rreth 20-vjeçar), i shoqëruar nga një pasagjer, A.F.

Gjatë kontrollit që policia i bëri veturës, poshtë ulëses së shoferit u gjetën dhe u sekuestruan 7 qese plastike me substancë narkotike të dyshuar marihuanë.

Në vazhdim, me autorizim të Prokurorisë dhe në bashkëpunim me njësitë e antidrogës, është kryer bastisje në shtëpinë e D.SH, në rrugën “Avdyl Ramaj” në Suharekë, por nuk është gjetur ndonjë material tjetër i kundërligjshëm.

Pas intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndaj D.SH. është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe ai është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Prizren.

Hetimet po vazhdojnë nën dyshimin për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Shpërndaje në

U Kopjua