Tentativa për të vjedhur në depon e një marketi në fshatin Carrabreg i Epërm në Deçan e futi në telashe një 31-vjeçar. Ai u ballafaqua me pronarin e marketit e më pas iku nga vendi i ngjarjes me një armë në dorë. Policia arriti të intervenojë dhe i njëjti përfundoi në ndalim policor.
Nga Policia e kanë konfirmuar se kanë konfiskuar një armë nga i dyshuari dhe i njëjti është ndaluar për armëmbajtje pa leje dhe për kanosje.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht për Sinjalin se i dyshuari për këtë rast është Hysen Bozhdaraj.
Ai dyshohet se kishte hyrë në depon e marketit ‘Banana’ me një armë në dorë dhe posa është kapur nga pronari, ka nisur një përplasje verbale mes tyre.
Gjatë kësaj kohe, të dyshuarit i ka rënë arma e më pas është larguar nga aty, por Policia arriti ta ndalojë të shtëpia e tij.
I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku është intervistuar lidhur me rastin.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tij është iniciuar hetimi.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.