Personi i arrestuar lidhur me ngjarjen tragjike që ndodhi dje në një kantier ndërtimi në Veternik, është Arian Rama.
I njëjti është ndaluar me urdhër të prokurorit për 48 orë, pasi dyshohet për përgjegjësi në këtë rast të rëndë.
Sipas informacioneve tashmë të publikuara nga Sinjali, rasti ka ndodhur më 5 prill 2025, rreth orës 12:30, në rrugën “Gjilani” mbrapa Albi Mall, ku gjatë punimeve ndërtimore është shembur dheu dhe ka zënë dy punëtorë.
Si pasojë e kësaj, Fatlum Haradinaj ka humbur jetën, ndërsa Mufail Kameri ka pësuar lëndime dhe është shtruar për trajtim në QKUK.
Hetimet e para dyshojnë se në vendin e punës kanë munguar masat mbrojtëse dhe siguria teknike, që mund të kenë sjellë deri te kjo tragjedi.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet policore, emergjenca, hetuesit rajonalë dhe prokurori kujdestar, që ka urdhëruar ndalimin e Ramës. Ndaj tij është iniciuar rasti për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Hetimet për këtë rast tragjik janë në zhvillim.