Siguria publike në Kosovë konsiderohet se po cenohet nga krime të natyrave të ndryshme, e sidomos nga vjedhjet e grabitjet e armatosura, fenomen ky mjaft shqetësues, që po shkakton humbje e pasiguri për bizneset dhe qytetarët.
Një rast i tentativës për vjedhje të rëndë është regjistruar të shtunën në mbrëmje në veri të Mitrovicës, ku një burrë është zënë në flagrancë brenda një objekti banimi, duke u përpjekur të hyjë në një depo.
Burime të Gazetës Kosovalive bëjnë me dije se dy gra të komunitetit serb e kanë raportuar një tentim-vjedhje në hapësirat e banesës së tyre.
Policia ka reaguar me shpejtësi dhe gjatë inspektimit në ndërtesë ka hasur personin e dyshuar.
Gazeta Kosovalive merr vesh se për rastin është arrestuar serbi Marijan Vitoroviq, 40 vjeçar.
Pas intervistimit në stacionin policor të Mitrovicës, dhe në konsultim me Prokurorin, ndaj Vitoroviqit është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe është iniciuar rasti “Vjedhje e rëndë në tentativë”.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.