Live

Ekskluzive: UD drejtori i Qendrës së Mjekësisë së Punës në Gjakovë raporton se u rrah dhe u kërcënua nga doktori Gola

18:28 / 17 Prill 2025

Nga Kosova Live

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Qendrës Kombëtare të Mjekësisë së Punës, Shpejtim Skijvani, po pretendon se është sulmuar fizikisht dhe kërcënuar nga një doktor i kësaj qendre. Rasti është denoncuar në Polici, por prokurori i shtetit nuk ka urdhëruar që të iniciohet hetimi.

Klankosova.tv ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për doktorin Luan Gola, i cili ka përfunduar në Polici dhe ka dhënë dëshmi për këtë rast.

Në një deklaratë për Klankosova.tv, Skivjani ka dhënë versionin e tij për incidentin që ka ndodhur sipas tij dje në zyrën e tij për shkak të një konflikti verbal.

Skivjani ka deklaruar se motivi ishte pasi Gola ka larguar një infermiere nga kabineti i tij dhe për pasojë, kjo e fundit e ka lajmëruar atë.

“Ngjarja ka ndodhur për shkak se infermierja që punon me të e kishte larguar nga kabineti ku punonin së bashku. Si rrjedhojë, drejtoresha e infermierisë më ka njoftuar për rastin dhe unë i kam ftuar në takim si drejtoreshën, ashtu edhe infermieren e Dr. Luan Golës. Gjatë takimit, infermierja e doktorit më është drejtuar duke më thënë: “Më kanë larguar nga kabineti, çfarë të bëj, ku të sistemohen tashmë?”.

“Në prani të drejtoreshës së infermierisë dhe infermieres, unë kam kërkuar që, derisa të vijë një kërkesë me shkrim, ajo të vazhdojë punën në kabinetin përkatës. Të nesërmen, më datë 16.04.2025, rreth orës 13:00, teksa isha në zyrën time duke punuar me një nga koleget, Dr. Gola hyri me arrogancë në zyrë, e përzuri kolegen time nga zyra dhe më sulmoi fillimisht verbalisht, me fjalë ofenduese dhe akuza denigruese si: “Kush je ti dhe pse e ke ftuar në zyrë infermieren që punon me mua?”.

“Në të njëjtën kohë, ai mu afrua dhe më sulmoi edhe fizikisht, ndërkohë që unë po përpiqesha t’i shpjegoja se, pasi drejtoresha e infermierisë ma kishte paraqitur problemin, i kisha ftuar të dyja infermieret për ta zgjidhur rastin. Pas sulmit, mora edhe një kërcënim nga ana e tij me fjalët: ‘Shihemi jashtë’”, ka thënë Skivjani për Klankosova.tv.

Pas incidentit, është lajmëruar Policia dhe janë ndërmarrë veprimet e nevojshme.

Klankosova.tv e ka kontaktuar edhe doktor Golën, por i njëjti nuk ka dashur të flasë lidhur me rastin, duke deklaruar shkurt se “e kam kryer punën”.

Ndërkohë nga Policia kanë thënë se prokurori kompetent nuk ka iniciuar rast, pasi ka vlerësuar se nuk ka elemente të veprës penale.

“Më datë 16.04.2025, kemi pranuar një informatë lidhur me një incident të ndodhur në një qendër mjekësore në Gjakovë. Policia menjëherë i është përgjigjur rastit, ku u intervistuan palët e përfshira (punonjës të kësaj qendre). Me të gjitha veprimet e ndërmarra dhe të gjeturat, është njoftuar prokurori kompetent, me vendimin e të cilit nuk është iniciuar rast, pasi aktualisht nuk janë gjetur elemente të veprës penale”, ka thënë Policia.

Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua