Live

Ekskluzive: Vetëdorëzohet në Polici i kërkuari për rastin “VERA 2024”, ndalohet për 48-orë

13:06 / 06 Prill 2025

Nga Kosova Live

Një prej të dyshuarve kryesorë në njërën nga dosjet më të mëdha për trafikim të drogës në Kosovë, ka rënë në prangat e Policisë. Pas disa muajsh në arrati, ai është vetëdorëzuar në kufi.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se Klodian Qokli, një nga të përfshirët në rastin e koduar “VERA 2024”, është vetëdorëzuar dje në pikën kufitare në Vërmicë, ku është arrestuar në bazë të një urdhër-arresti aktiv, që ishte lëshuar nga Gjykata Themelore në Pejë.

Ky rast lidhet me operacionin e realizuar nga Policia e Kosovës në shtator të vitit të kaluar në fshatin Sferkë të Klinës, ku ishte zbuluar një plantacion i madh narkotikësh dhe ishin konfiskuar mbi 1 ton kanabis, me vlerë mbi 5 milionë euro.

Sipas informatave që ka siguruar Sinjali, Qokli dyshohet se ka vepruar në bashkëkryerje me persona të tjerë, që tashmë janë të identifikuar nga autoritetet: Aleks Nimet Gërbi, Erion Etemaj, Eldi Mykaj, Engjellush Ibrahimi, Albano Saliu, Mirjon Qokli dhe Shkelqim Xhija – të gjithë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.

Pas vetëdorëzimit, Qokli është intervistuar nga hetuesit e Njësisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë – Pejë, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Hetimet për këtë rast të profilit të lartë vazhdojnë, ndërkohë që Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua