Live

Ekskluzive: Zhduket vajza 14-vjeçare në Rahovec – Familja s’ka asnjë kontakt që prej pesë ditësh

21:51 / 21 Prill 2025

Nga Kosova Live

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. Shumë shpesh angazhohen edhe njësi e grupe vullnetare që të zbulojnë gjurmët e personave që nuk dihet asgjë për fatin e tyre.

Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Rahovec, ku një vajzë 14-vjeçare është zhdukur prej pesë ditësh dhe vendndodhja e saj mbetet ende e panjohur.

Burimet e Gazetës Kosovalive bëjnë me dije se rasti është denoncuar në Policinë e Rahovecit nga nëna e të miturës, e cila ka raportuar se vajza e saj është larguar nga shtëpia më 16 prill 2025, rreth orës 14:00, dhe që nga ajo ditë nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.

Sipas familjes, kjo nuk është hera e parë që e mitura largohet pa paralajmërim, por këtë herë mungesa e çdo informacioni ka shtuar ndjeshëm shqetësimin dhe pasigurinë për fatin e saj.

Me urdhër të Prokurorit për të Mitur, është hapur rasti si “Person i Zhdukur”, ndërsa njësitë policore janë duke punuar për lokalizimin e saj dhe zbardhjen e rrethanave të këtij largimi.

Shpërndaje në

U Kopjua