Live

Emisari gjerman Sarrazin takohet me komandantin e KFOR-it: Dënojmë vendimin e djeshëm të Kosovës

10:56 / 27 Maj 2023

Nga Kosova Live

Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është duke qëndruar për vizitë në Kosovë, ku është takuar me komandantin e KFOR-it, Angelo Mikele Ristuccia për të diskutuar në lidhje me zhvillimet e fundit në veri të vendit.

“Në Kosovë për të vlerësuar situatën, duke folur me @EULEXKosovo #KFOR, Qeverinë e Kosovës, Serbët e Kosovës në Mitrovicë. Ne dënojmë vendimin e Kosovës për të detyruar hyrjen në ndërtesat komunale në veri dhe reagimet e dhunshme ndaj saj”, shkroi Sarrazin.

Ai ka kërkuar vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe përkushtim nga Kosova dhe Serbia për të zbatuar marrëveshjet e arritura.

“Vetëpërmbajtje nga të gjitha palët dhe përkushtimi të plotë nga Kosova dhe Serbia për dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe zbatimi i menjëhershëm i marrëveshjeve të arritura është e nevojshme. Mbështetje e plotë për Miroslav Lajçakun në përpjekjet e tij”.

Sarrazin do të takohet edhe me kryeministrin  Albin Kurti, duke filluar ora nga 10:00 në ndërtesën e Qeverisë.

Shpërndaje në

U Kopjua