Live

Ferizaj: Ngritet aktakuzë ndaj dy personave të dyshuar për trafikim me njerëz

16:39 / 07 Korrik 2025

Nga Kosova Live

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave me inicialet E.S. dhe V.H., për veprën penale “Trafikimi me njerëz” dhe “Frikësimi gjatë procedurës penale”.

Të njëjtit dyshohet se, në bashkëkryerje, për një periudhë disa mujore kanë shfrytëzuar vajza të mitura për shërbime seksuale, në këmbim të shumave të ndryshme parash.

Sipas aktakuzës, viktimat, përfshirë edhe motrën e një prej të akuzuarve,  janë strehuar fillimisht në një banesë në Ferizaj, dhe më pas janë detyruar, përmes kanosjes dhe përdorimit të forcës, që t’u ofrohen klientëve të ndryshëm për marrëdhënie seksuale, nga të cilat të akuzuarit përfitonin të ardhura, transmeton Klankosova.tv. 

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se nga muaji Gusht i vitit 2024 e deri  me datën 15.03.2025 në magjistralen Ferizaj-Prishtinë pn, Ferizaj, të pandehurit në bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, në vazhdimësi, marrin pjesë në trafikimin e njerëzve, në atë mënyrë që, fillimisht e pandehura V.H., fton të dëmtuarën në banesën e saj për të banuar përkohësisht, e pastaj në koordinim të plotë edhe me të pandehurin E.S., përmes kanosjes dhe përdorimit të forcës, sipas kërkesave të klientëve të tyre i’u ofrojnë vajza për shërbime seksuale, saktësisht viktimën e  mitur, duke u siguruar të njëjtave klientë të ndryshëm me të cilët bëjnë marrëveshje që të kryejnë marrëdhënie seksuale në këmbim të parave në vlerë prej 50 Euro deri 400 Euro, e të cilat para të pandehurit i përvetësojnë për vete, duke i ndarë në mënyrë proporcionale.

“Në periudhën e njejtë kohore dhe në lokacionin e njëjtë, të pandehurit në bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, në vazhdimësi, marrin pjesë në trafikimin e njerëzve, në atë mënyrë që fillimisht e pandehura fton të dëmtuarat e në mesin e tyre e merr edhe të dëmtuarën,  motrën e saj, e moshës 16 vjeçare, nga shtëpia e saj dhe e dërgon në banesën e saj për të banuar përkohësisht, e pastaj në koordinim të plotë edhe me të pandehurin E.S., përmes kanosjes dhe përdorimit të forcës, sipas kërkesave të klientëve të tyre iu ofrojnë vajza për shërbime seksuale, saktësisht të miturën , duke u siguruar të njëjtave klientë të ndryshëm me të cilët bëjnë marrëveshje që të kryejnë marrëdhënie seksuale në këmbim të parave në vlerë prej 50 Euro deri 400 Euro, e të cilat para të pandehurit i përvetësojnë për vete, duke i ndarë në mënyrë proporcionale”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit me datën 16.03.2025 në magjistralen Ferizaj-Prishtinë pn, Ferizaj, të pandehurit në bashkëkryerje me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete, në vazhdimësi, marrin pjesë në trafikimin e njerëzve, në atë mënyrë që, fillimisht e pandehura fton të dëmtuarën  e moshës 17 vjeçare për të banuar përkohësisht në banesën e saj, e pastaj në koordinim të plotë edhe me të pandehurin, përmes kanosjes dhe përdorimit të forcës, sipas kërkesave të klientëve të tyre iu ofrojnë femra për shërbime seksuale, saktësisht të dëmtuarën e mitur, ku e njëjta ishte detyruar se bashku të dëmtuarat e tjera, të hyjnë brenda në vilë të kryejnë shërbime seksuale duke u siguruar të njëjtave, klientë të ndryshëm me të cilët bën marrëveshje që të kryejnë marrëdhënie seksuale në këmbim të parave, në vlerë prej 50 Euro deri 400 Euro, e të cilat para të pandehurit i përvetësojnë për vete, duke i ndarë në mënyrë proporcionale, dhe posa dalin nga vilat, aty të pandehurit i marrin me veturë, nga aty vazhdojnë për në drejtim të qytetit të Prishtinës ku ndalen përsëri në motel kinse për të pushuar, derisa e dëmtuar arrin ti dërgoj një audio-mesazh të dashurit të saj, dhe falë intervenimit të policisë arrijnë që të pandehurit t’i arrestojnë, ndërsa e dëmtuara kërkon ndihmë mjekësore për shkak gjendjes tejet të rënduar psikologjike të saj.

Ndërsa, gjatë muajit mars të vitit 2025, në kohë të pacaktuar, përmes rrjetit social “Snapchat” e pandehura me qëllim të frikësimit dhe kanosjes serioze, si dhe duke premtuar dhuratë personave, saktësisht familjarëve të viktimave të mitura të trafikimit, saktësisht motrës dhe nënës së viktimës, në atë mënyre që e pandehura derisa ishte nën masën e arrestit shtëpiak për shkak të veprës penale “Trafikimi me njerëz” e njëjta fillimisht kontakton motrën e viktimave të trafikimit përmes llogarisë së saj të rrjetit social “snapchat” me mesazh zanor duke tentuar të krijoj një raport shoqëror dhe duke tentuar që ti bind për të i ndryshuar deklaratat e tyre duke i thënë se të njëjtës i’a ka premtuar një veturë të tipit “Golf 7” për ta hequr denoncimin në Polici, ku, me këto veprime i’u ka shkaktuar ankth, frikë dhe pasiguri për jetën e tyre.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit e lartëcekur me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprat penale në bashkëkryerje dhe në vazhdim “Trafikimi me njerëz” nga neni 165 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nenin 31 dhe nenin 77 të KPRK-së, si dhe ndaj V.H.,  është paraqitur aktakuzë edhe për veprën penale “Frikësimi gjatë procedurës penale” nga neni 387 paragrafi 1 të KPRK-së.

“Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprat penale për të cilat akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit”, thuhet në njoftim. .

Shpërndaje në

U Kopjua