Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla ka reaguar pas rastit tragjik në Hungari, ku dy shtetas të Kosovës vdiqën në një aksident trafiku.
Gërvalla në një postim në Facebook bën të ditur se Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre.
“Me dhimbje morëm lajmin për vdekjen e dy shtetasve të Republikës së Kosovës, Kushtrim Hoxhaj dhe Jetmir Rexhepi, në një aksident trafiku në Hungari.
Sapo kontaktova me familjarë të viktimave dhe iu shpreha ngushëllime për humbjen e më të dashurve të tyre.
Njëkohësisht i sigurova për mbështetjen institucionale, teksa Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës përmes misioneve diplomatike në Hungari dhe Gjermani, bashkë me autoritetet hungareze, po kryejnë të gjitha procedurat e nevojshme për kthimin e trupave të tyre.
Ngushëllime familjes Hoxhaj dhe Rexhepi!”, shkruan ajo.