Live

Gjykata cakton një muaj paraburgim kryeshefit të KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi

17:27 / 20 Mars 2025

Nga Kosova Live

Duke aprovuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Kosovës, Gjykata Themelore në Prishtinë i ka caktuar masën e paraburgimit kryeshefit të Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova” nën dyshimin për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi.

Sot është mbajtur seanca dëgjimore ndaj Krasniqiit, i cili gjendet në ndalim nga 18 marsi i këtij viti.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë caktimin e masën së paraburgimit ndaj Hasan Krasniqit, i cili në cilësinë e kryeshefit të Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) Gjakova dyshhohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar.

Krasniqi gjendet në ndalim nga 18 marsi 2025, ndërsa sot është mbajtur seanca dëgjimore dhe pritet caktimi i masës së sigurisë, raporton Betimi për Drejtësi

Në kërkesën e Prokurorisë, thuhet se Krasniqi në cilësinë e kryeshefit të KRU “Gjakova”, me dashje dhe dijeni kishte vepruar në kundërshtim me autorizimet ligjore të parapara për këtë pozitë dhe rregullat e zbatueshme të prokurimit publik, në atë mënyrë që lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizimi me barkë” kishte ndërmarrë veprimet e kundërligjshme.

Aty thuhet se më 5 korrik 2024, me sugjerimin dhe kërkesën e tij, të adresuar nga Visar Hasi- drejtor teknik në KRU “Gjakova”, ishte parashtruar kërkesa për inicimin e procedurës prokurimit, duke vendosur kritere teknike të cilat ishin qartazi favorizuese për OE (Operatorin Ekonomik) fitues “Lind Fix” ShPK, duke përjashtuar kështu të gjithë konkurentet e tjerë. Të dhënat specifike të barkës, thuhet se i dyshuari Krasniqi i siguroi nga pronari i barkës Arlind Hasimja, me të cilin janë në marrëdhënie miqësie.

Gjithnjë sipas kërkesës, kriteret favorizuese për OE fitues dhe përjashtuese për OE konkurrues, ishin bartur në dosjen e tenderit për këtë aktivitet të prokurimit dhe me krijimin e Komisinit për vlerësimine oferatve i kishte vendosur anëtraët e saj në një çështje të kryer, pasi që dihej fituesi.

Sipas Prokurorisë, OE fitues “Lind FIX” shpk, ishte shpallur fitues i tenderit me çmimin 24 mijë e 500 euro. Kurse, kontrata për furnizimin me barkë u nënshkrua më 16 gusht 2024.

Pasi ishin caktuar menaxheri i kontratës dhe mbikëqyrësi i drejtpëdrejtë i menaxherit të kontratës, Prokuroria thekson se ishte formuar Komisioni për pranimin teknik për pranim të barkës për tenderin në fjalë. Më pastaj, Komisioni kishte bërë pranimin e barkës.

Kjo thuhet se u bë duke u shkrepur katër fotografi të saj në oborrin e KRU “Gjakova”, duke mos kërkuar e as verifikuar dokumentacionin përcjellës të barkës, përfshirë kontratën e shitblerjes, faturën e blerjes, kartelën e bankës si dhe dokumentacionin doganor për kryerjen e procedurave doganore për mallin. Pas kësaj, thuhet se u përpilua edhe raporti për pranimin e barkës.

Sipas Prokurorisë, më 9 shtator 2024, pas verifikimi të dokumentacionit dhe procedurave, si dhe miratimit nga drejtori teknik Visar Hasi dhe kryeshefi ekzekutiv Hasan Krasniqi, u ekzekutua pagesa në shumën 24 mijë e 500 euro për “Lind Fix” ShPK.

Me këto veprime, Krasniqi dyshohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, par.2 të Kodit Penal.

Po ashtu, i pandehuri Hasan Krasniqi, si kryeshef ekzekutiv i KRU “Gjakova”, dyshohet se ka falsifikuar dy kontrata të qiramarrjes së barkës. Ai thuhet se kishte nënshkruar në emër të Eranda Canhasi Gashit, e cila nuk i kishte firmosur ato, ndërsa mjetet kishin kaluar në llogarinë e “Lind Fix” ShPK, në emër të Arlind Hasimes.

Me këto veprime, dyshohet se ka kryer veprën penale “Falsifikimi i dokumentit zyrtar” sipas nenit 427, par. 1 të Kodit Penal.

Aty thuhet se gjatë kontrollit të kryer më 18 mars 2025, u sekuestruan dëshmi që ndërlidhen me veprën penale: para të gatshme 22 mijë e 205 euro pa dëshmi mbi prejardhjen e tyre, një telefon, një laptop, dy kontrata të marrëveshjes dhe një barkë.

Në kërkesë thuhet se pas kryejes së veprimeve hetimore të planififkuara, ishte parashtruar kallëzim penal ndaj Krasniqit për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe falsifikim të dokumentit zyrtar, si dhe ndaj Arlind Hasimes për “Shmangie nga pagesat e detyrueshme doganore ose tarifave akcizore”.

“Prokurori konsideron se në rastin konkret janë plotësuar kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit Hasan Krasniqi, të cilat janë paraparë me nenin 163 të KPP, ndërsa për të dyshuarit tjerë të përfshirë në këtë çështje, përfshirë edhe disa persona zyrtar, është duke u punuar me qëllim të identifikimit dhe vënies së tyre para përgjegjësisë në ditën në vijim”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Ndërsa, sa i përket të pandehurit Arlind Hasmija, prokurori ka vlerësuar pozicionin e tij dhe ka ardhur në përfundim që aktualisht mund t’i mundësohet mbrojtja në liri, andaj ndaj tij nuk ka parashtruar kërkesë për caktimin e ndonjërës nga masat për sigurimin e pranisë së tij në procedurë.

Prokuroria vlerëson se i pandehuri nëse lihet në liri do të asgjësojë, fsheh, ndryshojë ose falsifikojë provat e veprës penale, si dhe se rrethanat e posaçme tregojnë se ai do të pengojë rrjedhën e procedurës penale, duke ndikuar në dëshmitarët apo të ndikojë në raport me të bashkëpandehurin Arlind Hasimja, i cili nuk është dëgjuar ende për rrethanat e kësaj çështjeje penale.

“Po ashtu, më lënien eventuale në liri të të pandehurit Hasan Krasniqi, ka rrezik serioz që ai të ndikojë në dëshmitarët të cilët kanë informacione të shumta për rrethanat e veprave penale që janë në hetim, duke qenë në pozitë superiore në raport me ta, pasi që shumica e këtyre dëshmitarëve janë nëpunës të ndërmarrjes KRU Gjakova, në të cilën i pandehur Hasan Krasniqi ka pozitën e krye shefit ekzekutiv”, thuhet në kërkesë.

Po ashtu, sipas Prokurorisë, pesha e veprave penale është e natyrës së rëndë dhe rrezikshmëria shoqërore e tyre tejet e lartë, sepse kemi të bëjmë me vepra penale nga të cilat përveç dëmeve shumëdimensionale, kanë thyer besimin e publikun në shërbimin me nder e sipas ligjit të detyrës zyrtare, e assesi që të shfrytëzohet detyra zyrtare për të kryer vepra penale, duke shkaktuar dëm material për ndërmarrjen si dhe duke i mundësuar përfitim të kundërligjshëm të dobisë pasurore për një person me të cilin ke lidhje miqësie.

Prokuroria ka ardhur në përfundim se në rastin konkret masat tjera të pamjaftueshme për zbatimin e rregullt të procedurës penale.

Shpërndaje në

U Kopjua