Ka kaluar më shumë se një javë nga grabitja e armatosur në afërsi të qendrës tregtare “Albi Mall”, ku pati edhe të shtëna me armë dhe për pasojë dy persona u plagosën, njëri nga grabitësit dhe një pjesëtar sigurimi.
Dy të plagosurit që nga ajo ditë ndodhen në Qendrën Klinike Universitare, për shkak të gjendjes shëndetësore.
Fahri Ademi, 42 vjeç, pjesëtar i sigurimit në kompaninë “Istambul Ozel Guvenlik”, po merr trajtim në Klinikën Intensive të QKUK.
Këtë e ka konfirmuar edhe drejtori i klinikës, Shaqir Uka, i cili ka theksuar se gjendja shëndetësore e tij vazhdon të mbetet e njëjtë, pa ndonjë ndryshim.
“Pacienti po vazhdon të marrë trajtimin mjekësor në njësinë e mjekimit intensiv këtu në QKUK. Gjendja e tij shëndetësore vazhdon të mbetet e njëjtë, pa ndonjë ndryshim. Ne po vazhdojmë të bëjmë përpjekje të pa ndërprera,” ka thënë Uka.
Siç ka raportuar Sinjali, gjatë përleshjes, u plagos edhe njëri nga të dyshuarit, Milos Vukojevic, i cili po trajtohet në të njëjtën klinikë, gjendja e të cilit po ashtu vazhdon të jetë e rëndë.