Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar mbrëmë ka zhvilluar një operacion policor në Pejë, cak i të cilit ishin disa persona të përfshirë në një rast të veprimtarisë së kundërligjshme. Aksioni rezultoi me prangosjen e pesë personave dhe tashmë po ndërmerren veprimet e tjera nga Policia.
Siç ka marrë vesh Sinjali pesë personat që u arrestuan nga Policia në lidhje me këtë rast janë: Fatos Çollaku, Roland Beqiri, Demokrat Muçaj, Dardan Ramqaj, dhe Shpend Kelmendi, të cilët janë ndaluar për 48-orë.
Të arrestuarit janë hetuar nën dyshimin për veprën penale “Krim i organizuar” dhe për përgatitjen e veprës penale “Vrasje e rëndë”. Të njëjtit dyshohet se kanë bërë marrëveshje, janë organizuar dhe kanë planifikuar kryerjen e një vrasje, si dhe janë përfshirë në krim të organizuar.
Hetimi i nisur për këtë rast çoi në identifikimin e të dyshuarve, të cilët u kapën të premten në mbrëmje pas bastisjeve të kryera nga disa njësi policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe gjyqtarin e procedurës paraprake.
Lajmi tashmë është konfirmuar edhe nga Prokuroria Speciale e Kosovës, të cilët kanë njoftuar se të dyshuarit kishin planifikuar kryerjen e veprës penale “Vrasje” dhe “Shkaktim i Rrezikut të përgjithshëm” ndaj dy viktimave në Pejë.
Por, çka gjeti Policia gjatë kontrollit pas bastisjes në disa lokacione?
Prokuroria Speciale e Kosovës ka bërë të ditur se gjatë zhvillimit të operacionit policor është zbatuar urdhër-kontroll që është kryer në gjashtë lokacione të ndryshme, ku janë gjetur dhe sekuestruar armë të cilat do të përdoreshin për kryerjen e veprave penale si: granata dore, pushkë, revole dhe municion i kalibrave të ndryshëm.
Përveç kësaj janë gjetur dhe sekuestruar një sasi e lendes narkotike, telefona celular si dhe dëshmi tjera materiale të cilat do të përdoren në procedurën penale ndaj të dyshuarve.
Ndryshe, kur ligji parasheh dënimin për përgatitjen e veprës penale të caktuar, përgatitja e veprës penale përfshin furnizimin me mjete ose aftësimin e mjeteve për kryerjen e veprës penale; mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale; marrëveshjen, planifikimin ose organizimin me personin tjetër për kryerjen e veprës penale, si dhe veprimet tjera me të cilat krijohen kushtet për kryerjen e drejtpërdrejt të veprës penale.