Live

Granit Xhaka po udhëheq Arsenalin drejt suksesve

15:33 / 21 Tetor 2022

Nga Kosova Live

Mesfushori nga Kosova, Granit Xhaka, e pranon se ishte futur në një “vend të errët” pas kacafytjes tërbuese me tifozët e Arsenalit në stadiumin Emirates para tri viteve, e cila gati sa nuk e detyroi ta braktiste klubin.

Gjatë barazimit të Arsenalit 2:2 me Crystal Palace në tetor të vitit 2019, Xhaka – i sapoemëruar kapiten – u përcoll me fishkëllima të tifozëve të vet kur u nxor nga loja në pjesën e dytë nga trajneri i atëhershëm Unai Emery.

Xhaka reagoi duke ua ngritur dorën dhe duke e prekur veshin me dorë sikur donte t’iu thoshte se “nuk po ju dëgjoj”, si dhe shkëmbeu fjalë zemërimi me disa tifozë para se ta zhvishte fanellën dhe të ecte drejt tunelit të stadiumit.

“Uroj që askush të mos jetë në gjendjen që kam qenë unë”, tha Xhaka, i cili e vazhdoi formën e mirë të këtij sezoni duke e shënuar golin e fitores së Arsenalit 1:0 kundër PSV në Ligën e Evropës.

“Ishte koha më e vështirë për mua dhe për familjen time”, nënvizoi ai.

Ai incident bëri që mesfushori nga Podujeva – i cili e përfaqëson Zvicrën – ta humbasë shiritin e kapitenit dhe të jetë buzë largimit të klubi.

Këtë sezon, megjithatë, fati i buzëqeshi Xhakës dhe ai tani po del të jetë çelësi i skuadrës së trajnerit Mikel Arteta, e cila zë vendin e parë në Premierligë kur ka përfunduar një e çerek sezon dhe tani e ka siguruar kalimin e grupeve në Ligën e Evropës.

Mesfushori 30-vjeçar tha për Football Focus: “Isha shumë, shumë afër largimit (nga Arsenali) dhe kur them shumë, shumë afër, është sikur ju t’i kishit gjërat këtu të paketuara dhe e gjitha që do t’ju duhej do të ishte t’i merrnit dhe të dilnit nga dera”.

“Në atë çast nuk e doni askënd afër vetes. Ky është problemi më i madh. Je i ulur në një vend të errët duke u ndier i vetmuar. Kështu u ndjeva unë”, shpjegoi ai.

“Përpiqesh të mos shkosh aq larg dhe t’i shohësh mesazhet që ata (tallësit e internetit) t’i dërgojnë, se çfarë thonë njerëzit në TV, por nuk mund t’i shmangesh”.

Ardhja e Artetës si trajner në dhjetor 2019 doli të ishte vendimtare, sepse spanjolli e bindi Xhakën të qëndrojë.

“Mikelin nuk e kisha takuar më parë, por që nga takimi i parë i thashë se doja të largohesha. Nuk kisha asgjë kundër tij, por me atë më ndodhi mua, nuk mund të luaja më me atë fanellë”, tregoi Xhaka.

“Ai është shumë i sinqertë dhe i drejtpërdrejtë. Edhe unë jam i tillë. Nuk më pëlqen kur njerëzit flasin me ty por pas shpinës luajnë lojëra. Arteta e di saktësisht çfarë do nga unë, ai e di saktësisht ku do të shkojë procesi dhe unë ndjeva se ishte çasti i duhur për të thënë ‘po, do të qëndroj’”.

Këtë sezon, Xhaka e ka arritur kulmin e lojës së vet në një ekip që shkon duke u bërë seç herë e më i fortë, falë nëntë fitoreve nga 10 ndeshjet e para në ligë.

“Ndihem shumë mirë dhe u përgatita në verë shumë më mirë se në të kaluarën. Por mendoj se nuk e kam arritur kulmin ende. Ne gjithmonë kemi pasur cilësi në ekip, por nuk e kemi pasur mendësinë për të thënë, ‘dëgjo, nuk ka rëndësi e humbim një ndeshje, do të fitojnë në tjetrën’. Ky klub duhet të luftojë për trofe, nuk ka rëndësi për cilin”, përfundoi Xhaka.

Shpërndaje në

U Kopjua