Greva një-ditore që përfshiu 13 aeroporte gjermane gjatë ditës së djeshme ka shkaktuar anulimin e disa fluturimeve nga Prishtina në drejtim të Gjermanisë.
Megjithatë, situata është zgjidhur, derisa sot nuk ka pasur fluturime të anuluara për në Gjermani.
Kështu e bëri të ditur zëdhënësja e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës, Valentina Gara.
“Nuk ka pasur anulime, të gjitha fluturimet po realizohen sipas orarit të parashikuar”, theksoi Gara.
Ndër të tjera, dje Policia Kufitare e Aeroportit të Prishtinës kishte njoftuar pasagjerët se, për shkak të grevës së përgjithshme të punonjësve në aeroporte të Gjermanisë, , mund të ndodhnin anulime fluturimesh për ato destinacione.