Kandidati i PDK-së për kryeministër të Kosovës, Bedri Hamza ka bërë të ditur se ka vizituar ish-presidentin Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarin Kadri Veseli, në Hagë.
Ai u shpreh se të dy i ka gjetur të fortë dhe sipas tij, i ka lënë me shpresë se e vërteta e luftës çlirimtare së shpejti do të triumfojë, përcjell Klankosova.tv.
Hamza shkroi në postimin e tij në Facebook se Kosova është duke i numëruar javët dhe ditët e rikthimit të tyre.
“Edhe një herë në Hagë për t’i vizituar presidentin Thaçi dhe kryetarin Veseli. I gjeta të fortë dhe i lashë me plot shpresë se e vërteta e luftës sonë çlirimtare së shpejti do të triumfojë. Me qëndrueshmërinë e tyre, me besimin e palëkundur në drejtësinë, në Kosovën tonë dhe aleatët tanë, ata vazhdojnë të jenë frymëzim për të gjithë ne”.
“E vërteta historike, ajo që populli ynë e ka përjetuar, padyshim se do të rikonfirmohet edhe në Hagë. Kosova, me padurim, tanimë është duke i numëruar javët dhe ditët e rikthimit të tyre, me bashkëluftëtarët e tyre, në mesin tonë”, ka shkruar tutje Hamza.