Live

Haradinaj për heronjtë 17-vjeç të Dukagjinit: Ranë që bashkëmoshatarët e tyre sot të jetojnë të lirë

11:13 / 10 Prill 2025

Nga Kosova Live

Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar heronjtë e kombit, Beat Coli dhe Valenton Spahiu, dytë 17-vjeçarë nga Dukagjini.

Ai tha se ata ranë heroikisht në Irzniq të Deçanit, 26 vjet më parë, për ta bërë të mundur që bashkëmoshatarët e tyre sot të jetojnë të lirë.

“Në ballë të luftës për liri, qëndruan më të mirët e kombit, djem e vajza të reja që iu përgjigjën thirrjes së Atdheut me guxim e nder. Të vendosur, të vetëdijshëm dhe pa dallim moshe, ata i dolën zot atdheut. Ndër ta ishin edhe Beat Coli dhe Valenton Spahiu, dytë 17-vjeçarë nga Dukagjini, të vetëdijshëm se liria nuk do të vinte pa sakrificë. Ata ranë heroikisht në Irzniq të Deçanit, 26 vjet më parë, për ta bërë të mundur që bashkëmoshatarët e tyre sot të jetojnë të lirë”, shkroi Haradinaj.

Ndër të tjera, kreu i AAK-së kujtoi edhe shkuarjen në amshim të Heroit të Kosovës, Shaban Viqa-Baci

“Në 15-vjetorin e shkuarjes në amshim, kujtojmë Heroin e Kosovës, Shaban Viqa-Baci. Aktivitetin e tij në shërbim të kauzës për liri e filloi që nga lëvizjet e hershme kundër okupimit e deri tek betejat e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare. Ishte njëri ndër protagonistët kryesor të Betejës së Jezercit dhe në shumë beteja triumfale të UÇK-së, për të vazhduar aktivitetin e tij në shërbim të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni e Luginë të Preshevës”.

“Heroizmi i tyre është i përjetshëm dhe do të kujtohet brez pas brezi”, tha Haradinaj.

Shpërndaje në

U Kopjua