Live

Hasani: Frika nga përmbushja e detyrimit për autonominë serbe, burimi kryesor i obstruksionit për formimin e qeverisë së ardhshme

20:05 / 26 Shkurt 2025

Nga Kosova Live

Profesori i së drejtës ndërkombëtare, Enver Hasani thotë se çështja e presidentit nuk është ajo që do ta komplikojë formimin e qeverisë së re.

Ai tha në një intervistë për Gazetën Express se këtë gjë më të vështirë do ta bëjë “implementimi i Bashkësisë së Komunave Serbe në Kosovë, përkatësisht autonomia serbe, të cilën zoti Kurti e pranoi në Bruksel në pranverën e vitit 2023”.

Ai thotë se “frika nga përmbushja e këtij detyrimi mbetet burimi kryesor i obstruksionit në formimin e qeverisë së ardhshme”.

Formimi i qeverisë së ardhshme, Hasani thekson se “do të ketë si pikë referimi dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të draft-statutit të BE-së ose të ndonjë draft-statuti tjetër” dhe se “nuk ka të bëjë me zgjedhjen e presidentit të Kosovës”.

Kryetari i parë i Gjykatës Kushtetuese pret që Administrata Trump do ta shtyjë përpara zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ndonjë marrëveshje tjetër ai thotë se “nuk është e nevojshme”, por beson se asaj ekzistuese do t’i shtohet “dimensioni ekonomik”.

Hasani nuk mendon se kjo administratë amerikane do ta mbyllë çështjen mes Kosovës dhe Serbisë “nëse qëllimi është mbyllja e çështjes së njohjes reciproke mes dy vendeve”. Kjo për faktin se siç thotë ai, “Kosova, me vullnetin e saj, në vitin 2023 hoqi dorë nga kërkesa për njohje reciproke, si de facto ashtu edhe de jure, dhe pranoi rrugën e normalizimit, duke i njohur Serbisë të drejtën për ta paragjykuar dhe kontestuar shtetësinë e saj si shtet sovran dhe i pavarur”.

Shpërndaje në

U Kopjua