Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur sot në lidhje me ftesën e Prokurorisë ndaj kryeministrit Albin Kurti për t’u intervistuar si dëshmitar në rastin e rezervave shtetërore.
Haxhiu ka thënë se ky është veprim komplet politik, me qëllime që siç tha ajo “tashmë dihen”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ajo thotë se Kurti nuk ka refuzuar të japë dëshmi dhe ka vullnet për ta bërë, siç ka përsëritur disa herë, në zyrën e tij.
Haxhiu foli edhe për kërkesën që Prokuroria Speciale i ka bërë Gjykatës Themelore në Prishtinë ta urdhërojë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, të paraqitet në Prokurori në cilësinë e dëshmitarit, pasi Kurti kishte refuzuar dy ftesat e mëparshme.
Ministrja e Drejtësisë thotë se në neni që i referohet Prokuroria ka të bëjë me personat që refuzojnë të japin dëshmi.
“E kam thënë edhe më herët në deklarimet e tjera, kryeministri Kurti asnjëherë nuk ka refuzuar kërkesën që të japë dëshminë e tij ndaj Prokurorisë. Kurti i ka ftuar prokurorët që të vinë në zyrën e tij në Kryeministri që të japë dëshminë e tij, por që Prokuroria nuk duket që është e interesuar për ta marrë dëshminë e Kurtit, sepse ka pasur disa mundësi, disa data që ka propozuar Kurti dhe nuk ka ardhur të marrë dëshminë e tij. Nuk e di se si saktësisht i është referuar Gjykatës për këtë urdhër, nuk e kam parë si të tillë. Nëse Prokuroria ka thënë që kryeministri Kurti nuk po pranon ta japë dëshminë kjo është gënjeshtër. Neni që i referohet Prokuroria ka të bëjë me personat që refuzojnë të japin dëshminë, jo kur një person thotë që unë jap dëshminë, ju ftoj në zyrën time. Nëse Prokuroria i ka thënë Gjykatës se Kurti po refuzon të japë dëshminë kjo është mashtrim, e vetmja çështje është lokacioni, tha Haxhiu në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë.
Kurti nuk ka refuzuar që të japë dëshmi. Është jashtëzakonisht e rëndësishme që edhe ju si media të drejtoheni te Prokuroria Speciale: Si e ka bërë kërkesën prokuroria Speciale, çka ka prezantuar Prokuroria Speciale para Gjykatës në mënyrë që të detyrojë kryeministrin Kurti që të japë dëshminë, sepse kryeministri Kurti ka vullnet që të japë dëshminë natyrisht. Fokusi duhet të vendoset këtu, se çka do të ndodhë në të ardhmen nuk e di. Janë veprime komplet politike, me qëllime që tashmë dihen dhe i kemi thënë disa herë”, tha Haxhiu