Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se qindra dosje që përmbajnë dyshime për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës janë dorëzuar në Prokurori nga Qeveria.
Sipas saj, kjo e para nuk ka ndërmarrë asnjë veprim.
Në profilin e saj në Facebook, Haxhiu ka shkruar se prokuroria është politike.
“Qindra dosje me dyshime për korrupsion e keqpërdorime të detyrës zyrtare janë dërguar në prokurori nga Qeveria jonë. Prokuroria asnjë veprim. Asnjë bastisje nëpër institucione pas atyre denoncimeve që i kemi bërë. Heshtje totale. Por mjafton një lajm diku në portale, e menjëherë vrapohet me bastisje në Ministri. Portale e gazeta ka pasur tash e sa kohë, por çështja është a kishte ato kohë Prokurori?!. Përgjigjen e dimë të gjithë. Keqpërdorimet, abuzimet, e shkatërrimet e ndërmarrjeve publike sikurse edhe pasurimi i pajustifikueshëm i zyrtarëve të lartë ka ndodhur para syve të Prokurorisë. Drejtësia s’duhet të jetë selektive. Aq më pak spektakël”, ka shkruar ajo.
Postimi i saj ka shkaktuar reagime nga komentues të cilët kërkojnë që të publikohet lista e dosjeve që janë dorëzuar në Prokurori dhe që kanë të bëjnë me korrupsionin, duke e sfiduar ministren që të bëjë procesin transparent.

