Live

Hiperaktiviteti – simptomat, diagnostikimi, trajtimi dhe çdo gjë tjetër që duhet të dini

23:32 / 21 Nëntor 2022

Nga Kosova Live

Hiperaktiviteti (Attention Deficit/Hiperactivity Disorder– ADHD) si term po gjen përdorim gjithnjë e më të shpeshtë për të cilësuar një sjellje të caktuar të fëmijës, sjellje kjo e cila karakterizohet me një impulsivitet të theksuar dhe mungesë të vëmendjes. Një përshkrim i tillë i simptomatologjisë, duke u kufizuar vetëm në impulsivitet dhe mungesë të vëmendjes, jo rrallë mund të na çojë në diagnostikim të gabuar e joprofesional të fëmijës. Si rregull, për t’u plotësuar kriteret diagnostike, simptomat duhet të jenë prezente para moshës 7 vjeçare, megjithëse te shumë fëmijë një diagnozë e tillë mund të vendoset vetëm pas moshës 7 vjeçare, atëherë kur sjelljet e tyre shkaktojnë problem në shkollë dhe mjedise të tjera sociale.

Në shekullin XX hiperaktivitetin e fëmijëve ia atribuonin dëmtimeve neurologjike, të shkaktuara nga faktorë biologjik, ndërsa më vonë janë zhvilluar teori të tjera që e lidhin shfaqjen e këtij entiteti me gjenetikën. Aktualisht, asnjë faktori si të vetëm nuk mund t’i atribuohet shfaqja e një gjendjeje të tillë, megjithëse shumë variabla mund të kontribuojnë në të.

Etiologjia – Ka një konsensus se etiologjia e këtij çrregullimi përfshin shumë bashkëveprime të sistemeve neuroanatomike dhe neurofiziologjike. E rëndësishme është se shumica e fëmijëve me ADHD nuk kanë dëmtime strukturore të sistemit nervor qendror. Ndonëse nuk ka evidenca shkencore, mendohet se faktorë kontribues në shfaqjen e ADHD janë ekspozimet toksike prenatale, prematuriteti, shtesat e ndryshme ushqimore, si ngjyrat, sheqernat etj.

Diagnostikimi – Shenja primare e impulsivitetit dhe hiperaktivitetit bazohet në historinë detale të fëmijës dhe përcjelljen e tij direkte, veçanërisht në ato situata që kërkojnë vëmendje të qëndrueshme. Hiperaktiviteti është variabil dhe si i tillë nuk shfaqet me intensitet të njëjtë në situata të ndryshme, p.sh. në shkollë mund të ketë shfaqje më intensive, ndërkaq në situata të tjera si intervistimi direkt apo aktviteti sportiv vihet më pak në dukje. Diagnostikimi i ADHD duhet të jetë i bazuar në kritere shkencërisht të verifikueshme, prandaj gjithnjë kërkon që ky proces të bëhet nga profesionistët e shëndetit mendor, më konkretisht nga Psikiatri i Fëmijëve. Në shkollë fëmijët hiperaktiv nuk mund të përcjellin udhëzimet dhe kërkojnë më shumë vëmendje nga mësuesit e tyre. Ata janë impulsiv, shfaqin labilitiet emocional dhe janë lehtë të irritueshëm, vetëvlerësim të ulët, etj. Çrregullimet e të lexuarit, llogaritjes, gjuhës, mund të jenë shoqërues të ADHD.

Shpërndaje në

U Kopjua