Lidhur me tarifat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Kosovës, ka reaguar ish-kryeministri Avdullah Hoti.
Ai totë se ka qenë dëm i madh për Kosovën që nuk u zbatuan marrëveshjet e nënshkruara në vitin 2020, në qeverinë e udhëhequr nga LDK-ja dhe partnerët e saj, transmeton Klankosova.tv.
Këto marrëveshje, Hoti thotë se përfshijnë:
-Marrëveshja e Uashingtonit e 4 shtatorit 2020, e cila përfshinte projekte të mëdha infrastrukturore, projektin e gazit në veçanti, e cila do të kishte krijuar pavarësi energjetike e nuk do të përballeshim sot me rritje të çmimit të energjisë për herë të tretë në dy vitet e fundit, si dhe do të kishim siguri të furnizimit;
– Marrëveshja për Insentivat në Investime SHBA-Kosovë, e datës 31 dhjetor 2020, e cila përfshinte mundësinë që DFC të mbështeste bizneset përmes huadhënies dhe investimeve në ekuitet, garancive investive, sigurimit të investimeve, projekte të fizibilitetit;
-Memorandimi i Mirëkuptimit SHBA-Kosovë, i datës 23 tetor 2020, për bashkëpunimin mes dy vendeve sa i përket sigurisë së teknologjisë 5G.
Tutje, përmes një postimi në Facebook, Hoti tha se nëse këto marrëveshje të zbatoheshin, sot partneriteti strategjik i Kosovës me SHBA-në do të ishte në nivele shumë të larta.
“Është jetike për Kosovën të kemi një qeveri proamerikane dhe proevropiane, e cila e kthen miqësinë e ngushtë të Kosovës me SHBA-në, që iu kthehet zbatimit të këtyre marrëveshjeve, që mund të udhëtojë kurdo që është e nevojshme në Uashington për konsulta dhe për mbështetje”, shkroi ai tutje.