“Zoti i bekoft aleatët tanë”, shkroi ish-kryeministri kosovar, Avdullah Hoti, në 26 vjetorin e nisjes së bombardimeve të NATO-s në caqet e ushtrisë serbe dhe infrastrukturën përcjellëse ushtarake të ish-Jugosllavisë.
Hoti shlroi se intervenimi humanitar i NATO-s ishte “i domosdoshëm për t’i dhënë fund një regjimi të pamëshirshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme për popullin e Kosovës”.
Postimi i plotë:
Sot shënojmë përvjetorin e bombardimeve të NATO-s në Kosovë.
Pas viteve të dhimbshme të regjimit të shtetit të Serbisë, ku dhuna dhe gjenocidi ishin pjesë e politikës shtetërore, bombardimet e NATO-s ishin të domosdoshme për t’i dhënë fund një regjimi të pamëshirshëm që ka shkaktuar vuajtje të pafundme për popullin e Kosovës.
Mijëra njerëz humbën jetën, mijëra u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre, ndërsa mijëra të tjerë u përballën me tortura dhe abuzime të tjera. Qëllimi ishte i qartë asimilimi dhe shkatërrimi e identitetit të shqiptarëve të Kosovës, duke zbatuar një politikë të pastrimit etnik që la pas një traumatizim të thellë.
Bombardimet e NATO-s, ishin nevojë urgjente për t’i dhënë fund kësaj gjendje, duke hapur rrugën për çlirim.
Sot, pas 26 vitesh, kujtojmë ata që humbën jetën dhe ata që kanë kontribuar në lirinë e Kosovës.
Zoti e bekoftë popullin e Kosovës!
Zoti i bekoftë aleatët tanë!
Zoti e bekoftë Republikën e Kosovës!.