Live

I dënuar për disa krime, riatdhesohet emigranti parë që mbahej në Gjadër

09:02 / 20 Prill 2025

Nga Kosova Live

Është riatdhesuar drejt vendit të origjinës nga Qendra e Riatdhesimit në Gjadër, emigranti i parë i huaj që qëndronte në këtë strukturë, të ngritur në kuadër të marrëveshjes së bashkëpunimit mes Italisë dhe Shqipërisë për menaxhimin e emigracionit të parregullt.

Sipas burimeve zyrtare, shtetasi i riatdhesuar është një 42-vjeçar me origjinë nga Bangladeshi, i cili kishte hyrë në territorin italian në vitin 2009. Autoritetet italiane vendosën dëbimin e tij për shkak të rrezikut të lartë shoqëror që ai paraqiste. Ai ka qenë i dënuar më parë për disa vepra penale, përfshirë një rast të rëndë dhune në familje.

Pas procedurave të nevojshme ligjore dhe mbajtjes së tij në Qendrën e Gjadrit, ai është deportuar drejt vendit të origjinës.

Lidhur me këtë zhvillim, Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi, ka reaguar përmes një postimi në X, ku e cilëson këtë si një hap të rëndësishëm në luftën kundër emigracionit të paligjshëm.

“Riatdhesimi i parë nga Shqipëria i një shtetasi të huaj në Qendrën e Riatdhesimit Gjadër. Operacionet e riatdhesimit të emigrantëve të parregullt do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, siç parashikohet nga strategjia e qeverisë për një veprim më efektiv për të luftuar imigracionin e paligjshëm”, – deklaroi Piantedosi.

Shpërndaje në

U Kopjua