Pas rastit të vjedhjes së armës zyrtare brenda Stacionit Policor në Mitrovicë, zinxhiri komandues i Policisë së Kosovës ka ndërmarrë veprime të menjëhershme ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë ngjarje.
Dy zyrtarët përgjegjës, hetuesja Fikrije Imeri dhe hetuesi Shkëlqim Osmani, janë suspenduar për 72 orë, raporton Sinjali, transmeton Klankosova.tv.
Suspendimi është marrë për t’i hapur rrugë procedurës disiplinore, pas hetimeve të brendshme që po zhvillohen për shkelje të rënda të protokolleve të sigurisë dhe procedurave standarde operative.
Hetimet fillestare kanë zbuluar se hetuesi Shkëlqim Osmani kishte lënë të dyshuarin vetëm në zyrë për disa minuta, ndërsa hetuesja Fikrije Imeri, e cila kishte përdorur më herët atë zyrë, kishte lënë revolen e saj në çantën personale dhe kishte dalë jashtë pa siguruar armën, duke shkelur detyrimet ligjore.
Mungesa e mbikëqyrjes ka mundësuar që i dyshuari të shfrytëzojë rastin dhe të marrë armën, të cilën më pas e fshehu në trup.
Arma u gjet gjatë një kontrolli në një stacion tjetër policor në Mitrovicën e Veriut, por vetëm pasi kaluan disa orë nga incidenti, duke shkaktuar rrezik serioz për sigurinë./Klankosova.tv
Vërejtje: Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.