Live

I dyshuari për rezervat drejtor i Akreditimit, CorrWatch kërkon anulim të emërimit

10:34 / 27 Mars 2025

Nga Kosova Live

Iniciativa CorrWatch ka reaguar pas emërimit të Irfan Lipovicës në pozitën e drejtorit të  Akreditimit në ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Ai së bashku me Ridvan Muharremin dhe një zyrtar tjetër nga MINT-i ishin arrestuar nën dyshimin për keqpërdorime me rezervat shtetërore.

CorrWatch thekson se rreth procesit në fjalë ka reaguar edhe më 26 nëntor të vitit të kaluar duke kërkuar rishqyrtimin e tij.

“Kjo pasi që CorrWatch kishte evidentuar se MINT ka shkelur Ligjin për Zyrtarët Publikë, duke përfshirë në listën e ngushtë kandidatë që nuk i kanë plotësuar kriteret e përcaktuara në shpalljen e konkursit, veçanërisht kërkesat për përvojën e punës në pozita drejtuese. Në listën e ngushtë të rezultateve të verifikimit paraprak ishin përfshirë dy (2) kandidatë, por vetëm njëri prej tyre i kishte plotësuar kushtet ligjore. Përkundër kësaj, në vend se të anulohej procesi për shkak se kishte vetëm një kandidat i cili kishte plotësuar kriteret, dy kandidatët u shpallën fitues për të kaluar në fazën finale të emërimit”.

Pavarësisht shqetësimeve të ngritura dhe shkeljeve të identifikuara,  CorrWatch potencon se Qeveria ka emëruar njërin nga kandidatët, duke legjitimuar një proces të parregullt dhe të paligjshëm.

“Ky emërim jo vetëm që legjitimon një procedurë të paligjshme, por gjithashtu shkel parimet e integritetit dhe meritokracisë në administratën publike”.

Kjo iniciativë kërkon anulimin e menjëhershëm të këtij emërimi dhe një reflektim dhe përgjegjësi institucionale mbi shkeljet e evidentuara.

Shpërndaje në

U Kopjua