Live

“I përgjakur e me dhëmbë të thyer”, dëshmitari tregon se e kishte rrahur i akuzuari për krime lufte në Istog

13:21 / 26 Mars 2025

Nga Kosova Live

Në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në gjykimin ndaj të akuzuarit për krime lufte në Istog, Çaslav Joliq, dëshmitari Nexhmedin Curraj deklaroi që Joliq bashkë me Rad Pitoliq dhe një serb tjetër me emrin Llaza, e kishin rrahur më 15 mars 1998.

“Aty kanë filluar të më rrahin te tretë, Çaslav, Llaza dhe Rad Pitoliq. Aty kanë nisë me më rrah dhe prej aty më kanë dërgu te një kafiq i drurit”, tha dëshmitari, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas tij, Joliq dhe Llaza i kishin kërkuar që t’i dërgonte deri tek një person i quajtur “Mala”, pasi që punonte si taksist dhe kur janë ndaluar tek një dyqan Pitoliq u ishte drejtuar Joliqit dhe Llazës, duke i nxitur që ta rrahin dëshmitarin.

“Kur jam kthy te shitorja dhe u ardhë një polic dhe iu ka thënë që ‘qysh po shëtiteni me këtë iredentist?’, i ka nxitur, sepse besoj se ata nuk do të më kishin rrahur, sepse i kam njohur të dy, edhe pse me të akuzuarin nuk kam pasur shumë kontakte”, tha Curraj.

Ai deklaroi që kur e kanë dërguar në kafene, për një moment ata kanë ikur dhe se disa qytetar serbë i kanë thënë atij që të largohet.

“Unë isha i përgjakur, dhëmbët i kisha të thyer dhe më kanë çuar aty për me më la dhe në atë moment kur kam hy në kafiq, aty më ka ndihmu Zoti se ata dolën në atë moment, dhe disa serbë që ishin në lokal më kanë njohur dhe më kanë thënë “ik shpejt”, e kam dalë me ikë te kerri. I kam hyp kerrit dhe jam shku në shtëpi”, shtoi tutje dëshmitari.

I pyetur nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni se cilat ishin veprimet konkrete të Joliqit, Curraj tha që Pitoliq e ka goditur i pari, pastaj Joliq dhe Llaza kanë hyrë brenda në veturë dhe e kanë rrahur.

“Radi ka qëndruar jashtë veturës, ai e ka hapë derën e veturës dhe më ka goditur, dhe brenda ka hyrë Llaza dhe Joliq. Llaza ka qenë përpara, ndërsa Joliqi mbrapa. Në ato momente unë kam qenë duke u mbrojtur, nuk e di kush më ka goditur më shumë e kush më pak”, shtoi tutje dëshmitari.

Gjatë dëshmisë së tij, Curraj tha që Joliq dhe Llaza kanë qenë të uniformuar dhe me armë të gjata.

Po ashtu, ai deklaroi që gjatë kohës sa ishte duke ikur nga kafeneja, ai kishte parë se si Joliq, Llaza dhe Pitoliq ishin duke rrahur dëshmitarin tjetër, Naim Feratin.

Mbrojtësi i të akuzuarit Jolqi, avokatit Miodrag Bërkljaq e pyeti Currajn se a e njeh të akuzuarin, për çka ai e pohoi një gjë të tillë.

Për këtë, avokati Bërkljaq i tha se pse në dëshminë e dhënë në Prokurori kishte deklaruar që nuk e njihte të akuzuarin, por dëshmitari tha që kjo nuk është e vërtetë.

“Nuk është e vërtetë që nuk e njoh njeriun. Edhe në Prokurori kam deklaruar kështu, por çka ka shkruar prokurori unë nuk e di. E kam ditë prej fillimit që janë Llaza dhe Joliq dhe Radi”, u shpreh ai.

Ndryshe, më 10 qershor 2024, Gjykata Themelore në Prishtinë e kishte dënuar të pandehurin Joliq, me 8 vite burgim për krime lufte në qytetin e Istogut. Por, Gjykata e Apelit më 4 nëntor 2024, rastin ndaj tij e ka kthyer në rigjykim.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 18 nëntor 2022, ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Çaslav Joliq me arsyetimin se gjatë kohës së luftës në Kosovës në bashkëkryerje me persona të tjerë, duke i shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare, ka aplikuar masat e torturimit dhe shkaktimit të vuajtjeve të mëdha apo cenimit të integritetit trupor ose shëndetit kundër popullsisë civile që nuk kanë marrë pjesë drejtpërdrejt në konflikt për shkaqe që lidhen me luftën.

Vërejtje:
Personat e përmendur në këtë artikull, sipas ligjeve të Republikës së Kosovës, konsiderohen të pafajshëm deri në vendimin e formës së prerë nga gjykata.

Shpërndaje në

U Kopjua