Live

IKD: Nuk përputhen shpenzimet e partive politike me aktivitetin gjatë fushatës zgjedhore

20:44 / 20 Mars 2025

Nga Kosova Live

Eksperti i Institutit të Kosovës për Drejtësi (IKD), Naim Jaka, ka deklaruar se partitë politike kanë obligim të publikojnë raportet financiare të pa audituara, por shpenzimet e tyre në fushatën zgjedhore nuk përputhen me deklarimet zyrtare.

Sipas tij, raportet tregojnë se partitë kanë shpenzuar shumë për aktivitetet e tyre elektorale, ndërsa një pjesë e shpenzimeve mbetet e padeklaruar.

“Partitë politike kanë shpenzuar kogja shumë në fushatë. Ka aktivitete që kanë kosto të lartë, por nuk deklarohen sepse nuk mund të mbulohen me fondet e raportuara”, theksoi Jaka në Tv Dukagjini.

Ai vuri në pah se vetëm 110 kandidatë nga secila parti raportojnë shpenzime mbi 10 mijë euro, çka lë të kuptohet se shifrat reale janë më të larta.

“Numrat nuk përputhen me atë që partitë raportojnë krahas aktiviteteve të shumta të zhvilluara, përfshirë logjistikën e mbajtjes së tubimeve”, shtoi ai.

Jaka po ashtu nënvizoi se fondet zyrtare nuk mjaftojnë për të mbuluar vizitat në diasporë dhe aktivitetet e mëdha të partive si Lëvizja Vetëvendosje apo Partia Demokratike e Kosovës.

“Ka më shumë aktivitete sesa të hyra, ndërsa shpenzimet e vërteta nuk mund të arsyetohen me fondet e deklaruara”, përfundoi ai.

Shpërndaje në

U Kopjua