Live

Ilir Avdyli “Ylli i Javës”

11:49 / 20 Shkurt 2023

Nga Kosova Live

Federata e Futbollit e Kosovës vazhdoi ndarjen e çmimit “Ylli i Javës” pas çdo xhiroje në Albi Mall Superligë.

Çmimi i më të mirit për javën e 20-të i ka takuar portierit të FC Llapi, Ilir Avdyli.

Vlerësimi i më të mirit të javës është bërë nga komisioni i veteranëve të futbollit. Komisioni vlerësoi se portieri i llapjan ishte më i merituari në fitoren që skuadra e tij e arriti kundër Trepçës’89 (2:1).

Ai përgjatë tërë ndeshjes pati performancë të jashtëzakonshme, ku fillimisht priti penalltinë tek rezultati 0:0, derisa më pas pati edhe disa intervenime tjera gjatë lojës, duke mos lejuar skuadrën kundërshtare t’ia rrezikojë fitoren Llapit.

“Te shpallësh më i miri i xhiros është një kënaqësi e madhe sidomos për faktin që kjo xhiro ka pasur shumë gola dhe rrjedhimisht konkurrenca për ‘Yllin e Javës’ ka qenë e madhe. Ndeshjet si vendas dhe presioni i pikëve nuk lejojnë që ekipi të jetë i liruar dhe të bëjë lojë kreative, prandaj edhe ndeshja me Trepça ’89 ka qenë e vështirë. Më gëzon fakti që e kam ndihmuar ekipin të arkëtojë 3 pikë shumë të rëndësishmë për vazhdimësi më të qetë në Albi Mall Superligë. Falënderoj bashkëlojtarët për mundin dhe angazhimin që e bëjnë çdo ndeshje. Llapi synon që të renditet i treti në tabelë dhe si zakonsiht ta fitojë Kupën e Kosovës. Besoj që jemi në rrugë të duhur për të arritur objektivat tona dhe do të punojmë shumë nga ndeshja ne ndeshje“, theksoi Avdyli për faqen zyrtare të FFK-së pas marrjes së këtij çmimi.

Shpërndaje në

U Kopjua