Live

IPK-ja e konfirmon suspendimin e zyrtarëve policorë në Gjakovë dhe Prishtinë

15:17 / 23 Prill 2025

Nga Kosova Live

Inspektorati Policor i Kosovës e ka konfirmuar suspendimin e dy zyrtarëve policorë të Drejtorisë Rajonale të Policisë së Kosovës në Gjakovë, Detjon Hasanaj dhe Rozana Nokaj, po ashtu edhe të një zyrtari tjetër nga Prishtina.

IPK-ja në njoftimin e lëshuar ka konfirmuar raportimin e Klankosova.tv të bërë për rastin në fjalë ku thuhet se veprat penale janë “Ndihmë gjatë kryerjes së veprës penale” dhe “Zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

“Duke ju referuar kontrollit të realizuar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, hetuesit e IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin për veprën penale ‘ndihma gjatë kryerjes së veprës penale’. Të njëjtit me aktvendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”.

“Lidhur me rastin e njëjtë dy zyrtarë policorë hetohen në procedurë të rregullt me dyshimin  për veprën penale ‘zbulim i fshehtësisë zyrtare’. Si pjesë e procedurave administrative IPK ka rekomanduar suspendimin e këtyre zyrtarëve (tre zyrtarëve policorë) të përfshirë si të dyshuar në këtë rast”, thuhet në njoftim.

IPK-ja, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Gjakovë dhe me autorizim të lëshuar nga gjyqtari i procedurës paraprake, ka realizuar sot në orët e hershme të mëngjesit kontrolle në dy lokacione të ndryshme në regjionin e Gjakovës.

Kontrollet janë kryer në kuadër të një hetimi penal që është duke u zhvilluar ndaj zyrtarëve policorë në fjalë, lidhur me dyshimet për përfshirje në veprat penale e lartëcekura.

Gjatë realizimit të kontrolleve, hetuesit e IPK-së kanë sekuestruar disa prova materiale, sipas IPK-sw, mund të kenë rëndësi për procedurën hetimore.

Shpërndaje në

U Kopjua