Përderisa kostoja finale e konkretizimit të sallës koncertale e të galerisë në ish-objektin e “Gërmisë” ende nuk është llogaritur, dy milionë euro është buxheti që ka vënë në dispozicion Komuna e Prishtinës për vitin që vjen. Prilli synohet si afat për nisje punimesh në konkretizimin e projektit, që tash quhet “Salla koncertale (qendra multikulturore ‘Evropa’)”. Buxheti për në mot është veç 400 mijë euro më i lartë sesa kostoja e projektit. Projektimi i ndërtesës ka kushtuar 1.6 milionë euro. Komuna llogarit në fondet e Bashkimit Evropian
Komuna e Prishtinës për vitin që vjen ka paraparë dy milionë euro buxhet për nisjen e punimeve për ndërtimin e sallës koncertale, tash edhe të galerisë në ish-objektin e “Gërmisë”. Ky buxhet i miratuar nga Kuvendi Komunal është veç 400 mijë euro më i lartë sesa kostoja e projektit. Projektimi i ndërtesës ka kushtuar 1.6 milionë euro, sipas kontratës së Komunës dhe studios së arkitektit japonez, Kengo Kuma, dhe partnerit të tij kosovar, Bekim Ramku.
Por Komuna synon që pjesën tjetër të financimit ta sigurojë nëpërmjet fondeve të Bashkimit Evropian, konkretisht nga Instrumentet e Para-Anëtarësimit, IPA. Aktualisht shteti është në telashe me këtë lloj financimi. Bashkimi Evropian prej qershorit ka bërë të ditur se ka marrë një varg masash kundër Kosovës në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë në raport me gjendjen në veri të vendit. Midis tyre edhe ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024. Situata mund të ndërrojë derisa të nisë konkretizimi i projektit më të madh kapital që kryeqyteti e synon prej pasluftës së fundit.
Megjithëse sipas tabelave të buxhetit të miratuar për vitin 2024, tek investimet kapitale figurojnë dy milionë euro për projektin “Salla koncertale (qendra multikulturore ‘Evropa’)”, sipas kryetarit të Prishtinës, do të jenë “mbi dy milionë euro kontribut direkt i kryeqytetit në ndërtimin e sallës koncertale dhe muzeut të arteve”. Vitin e kaluar salla koncertale nuk kishte figuruar fare si projekt kapital në tabelat buxhetore.
Në seancën ku është miratuar buxheti, para dy javësh, Rama derisa ka prezantuar investimet e parapara, ka përmendur se në fund të gushtit dhe në fillim të shtatorit ka qëndruar në Japoni.
“Isha në Japoni dhe zoti Kengo Kuma, arkitekti i mirënjohur botëror e prezantoi projektin. Patëm diskutime shumë konstruktive dhe bëmë disa ndryshime. Tash kemi një ikonë të re të kryeqytetit që në aspektin e projektimit jemi në dinamikën të cilën e kemi prezantuar dhe për të cilën jemi marrë vesh me zotin Kuma”, ka thënë ai. Më pas ka përmendur edhe financimin e synuar.
“E, në anën tjetër po ashtu jemi në diskutime të njëpasnjëshme me komunitetin evropian që nëpërmjet fondeve IPA kjo të financohet dhe të fillojmë ndërtimin në prill të vitit të ardhshëm”, ka thënë Rama bindshëm. Tek investimet kapitale për vitin 2024 Komuna ka paraparë 4.5 milionë euro. Prej tyre, dy milionë për transformimin e ish-Tulltores, 400 mijë për “Kurrizin” dhe 100 për intervenime në institucionet vartëse të kulturës.
Pos tyre, 825 mijë euro janë paraparë në kategorinë për subvencione, kurse 590 mijë të tjera janë paraparë për “Dekorimet verore, dimërore dhe shënimi i datave me rëndësi”, “Kuratorin kulturor për organizime dhe manifestime të Kryeqytetit” dhe “Furnizim me libra për nevojat e bibliotekës ‘Hivzi Sylejmani’”.
Sa i përket sallës koncertale, goxha jehonë kishte bërë publikimi i projektit të ri në fund të gushtit.
Sipas asaj që shihet në imazhet e projektit të publikuar nga kryetari Rama, ndërtesa aktuale, me status të monumentit, do të shndërrohet në galeri. Duket se projektuesit i janë përshtatur kërkesës së Komunës për të pasur dy hapësira kulturore.
“Salla koncertale dhe Muzeu i Artit të kryeqytetit po bëhen realitet! Jam shumë i lumtur që po hedhim hapat e parë për krijimin e dy hapësirave të rëndësishme kulturore të kryeqytetit, Sallën koncertale e Muzeun e Artit. Gjatë takimit me arkitektin e njohur botëror, Kengo Kuma, diskutuam detajet e fundit për realizimin e këtij projekti tjetër të madh drejt transformimit të Prishtinës”, kishte njoftuar kryetari Rama nëpërmjet rrjeteve sociale.
Pianistja Besa Luzha, e cila vazhdimisht ka avokuar për ndërtimin e sallës koncertale, ka thënë se ka pasur një takim të rastësishëm me kryetarin Rama, ku edhe kanë biseduar për këtë çështje.
“Në janar hapet tenderi për ndërtim, edhe Bashkimi Evropian është i interesuar të kontribuojë me fonde, besoj edhe MKRS-ja. Kështu që shpresoj që gjithçka po ecën sipas planit. Ne mezi po presim të shohim fillimin e punimeve me shpresë që me 2025 të mund ta inaugurojmë sallën”, ka thënë ajo.
Komuna e Prishtinës e ka konkretizuar nismën për ndërrim të qasjes në raport me ndërtesën e ish-shtëpisë së mallrave “Gërmia”. Menaxhmenti aktual i Komunës kishte hequr dorë nga shndërrimi i monumentit në sallë koncertale. Kostoja e projektimit të ri është 1.6 milionë euro. Kaq peshon edhe kontrata që nëpërmjet procedurës së negocimit i është dhënë “O.U.D -Architects Sh.P.K; Kengo Kuma and Associates”. Sipas kontratës me titull “Hartimi i projektit të detajuar për qendrën multikulturore ‘Gërmia’ në Prishtinë”, studioja e arkitektit japonez, Kengo Kuma, dhe partnerit të tij vendor, Bekim Ramku, do të finalizojnë projektin. Projekti i dyshes për transformimin e ndërtesës që gjendet në qendër të Prishtinës ishte shpallur fitues para dy vjetësh. Por ai plan ideor tashmë do të mbetet veç pjesë e historisë.
Kur në maj të këtij viti ishte nënshkruar kontrata, arkitekti Bekim Ramku kishte sqaruar se në fazën e parë do të bëjnë vlerësimin e statikës së ndërtesës, po ashtu edhe të vlerave të objektit.
Sipas tij, do të mundohen që të mbajnë sa më shumë nga struktura ekzistuese.
“Objekti kryesor të kthehet në një hapësirë ekspozuese, galeri, hapësirë instilacionesh, kurse salla e koncerteve do të jetë e vendosur në pjesën ku tash është parkingu i kompleksit”, kishte shpjeguar Ramku. Sipas tij, programi nuk ka ndryshuar nga ai fillestar, veçse janë shtuar metrat katrorë të hapësirës.
“Projekti si total do të rritet për rreth 5 mijë metra katrorë e në përgjithësi do të jetë rreth 14 mijë e 500 metra katrorë”, kishte thënë ai. Sipas Ramkut, projektimi do të jetë gati për 8 muaj nëse gjithçka shkon sipas planit dhe nuk ka vonesa nga Komuna për aprovime, informata shtesë e nevoja të tjera.
Të mërkurën Ramku ka thënë se këtë të hënë kanë dorëzuar në Komunë projektin skematik, i cili pas aprovimit në Komunë duhet të dërgohet për aprovim në institucionet e trashëgimisë kulturore, pasi ish-shtëpia e mallrave “Gërmia” është monument.
“Projekti skematik është diçka midis konceptit dhe projektit kryesor. Do të thotë ka më shumë detaje sesa koncepti, por nuk është projekt zbatues”, ka shpjeguar Ramku. Ka treguar se në bazë të kontratës pas këtij aprovimi kanë edhe pesë muaj kohë për të dorëzuar projektin final. Sipas tij, ende nuk ka ndonjë vlerësim për koston e implementimit të projektit dhe këtë mund ta dinë pas konkretizimit të projektit të detajizuar.
Se Komuna do të ketë qasje të re, kjo qe paralajmëruar qysh në mars të këtij viti, kur kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, kishte pritur në takim arkitektin japonez, Kengo Kuma. Në ditën e 12-të të marsit, Rama ia kishte bërë me dije Kumas se ndërtesën aktuale nuk do ta përdornin për sallë koncertesh.
“Ideja është që të ndryshojmë qasjen. Në vend që ta përdorim ndërtesën ekzistuese për sallë koncertesh, të shikojmë nëse mund t’ia shtojmë asaj sallën koncertale, në mënyrë që vetë atë ta përdorim si galeri të qytetit e sallë multifunksionale”, kishte thënë Rama. E Kuma me qetësi kishte konfirmuar se mund të veprohet kësisoj vetëm me “po”. Rama kishte pasur disa arsye për nismën e tij. Kishte thënë se me këtë nuk do të kenë nevojë për demolim të ndërtesës aktuale.
Historia e kësaj ndërtese të viteve ’70 është e vjetër. Ajo e shndërrimit në muze të artit bashkëkohor a në sallë koncertale ka hyrë në dekadën e dytë.
Juria në përbërje të Mohsen Mostafavi, Andrija Rusan dhe Han Tümertekin, profesorë të shquar të arkitekturës nga Harvardi, Zagrebi dhe Stambolli së bashku me dy përfaqësues të Asociacionit të Arkitektëve të Kosovës, një nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve, si dhe një tjetër nga Komuna e Prishtinës, kishin vendosur që në vendin e parë të renditej projekti i studios së Kumas në partneritet me arkitektin kosovar, Bekim Ramku, dhe me ekipin e inxhinierëve nga Stambolli dhe New Yorku, Ahmed Topbas dhe Akım Mühendislik. Ky projekt në prill të vitit 2021 kishte marrë 82.42 pikë, duke bërë që të shpërblehet me 50 mijë euro.
“One Roof – Germia for Concert Hall” nxjerr dy salla koncertale brenda objektit, përderisa fasada e jashtme e monumentit ruhet. Juria kishte vendosur që në vendin e dytë me 74.84 pikë të jetë projekti i operatorëve “Shkëlqim Osmani B.I – Vizion project, MA Studio & Partners”, që kishte shifrën 1897. Shpërblimi financiar qe 30 mijë euro. I treti është renditur projekti me operatorët “Arbër Sadiki B.I, G+A Architects” me shifrën 6969. Kishte marrë 70.12 pikë dhe shpërblimin financiar – 20 mijë euro. Pos Sadikit, bashkautor është edhe Gëzim Paçarizi.
Te projekti i dyshes Sadiki e Paçarizi parashihet ajo që kishte kërkuar kryetari Përparim Rama: ndërtesa aktuale të jetë galeri e të shtohet salla koncertale.
Projekti i përzgjedhur llogaritej të kushtonte rreth 10.6 milionë euro që të zbatohej. Me ndryshimet e kërkuara nuk ka ende ndonjë përllogaritje paraprake.
Qysh prej shtatorit të vitit 2018, Komuna e Prishtinës kishte përmendur ish-ndërtesën e “Gërmisë” si vend ku do të mund të ngrihej salla koncertale. Në tetor të atij viti, pas një debati të madh midis komunitetit të arkitektëve dhe atij të muzikës, Ministria e Kulturës e kishte përfshirë ndërtesën në Listën e trashëgimisë kulturore nën mbrojtje të përkohshme. Në atë rast kishte ndryshuar situata.
Më pas, nëpërmjet vendimit për shpronësimin e ish-objektit të “Gërmisë”, Qeveria kishte vendosur që t’i ruhej pamja e jashtme monumentit dhe të shndërrohej në sallë koncertale./Kosovalive.net/