Live

Ish-kampioni i botës Anatoli Karpov në koma pas një aksidenti, dyshohet për sulm

10:17 / 01 Nëntor 2022

Nga Denis Fana

Ish-kampioni i botës në shah, Anatoli Karpov, 71 vjeç, është në koma të shkaktuar pas një incidenti për të cilin ka disa versione. Sipas vajzës së tij Sofia, mjeshtri i madh u gjet pa ndjenja në shtëpinë e tij, pasi kishte pësuar një aksident në familje.

Megjithatë, sipas biznesmenit Andrey Kovalev, Karpov do të ishte gjetur pa ndjenja pranë Dumës, parlamentit rus dhe “rënia” në fakt ishte një sulm nga persona të panjohur,  siç shkruante ai në kanalin e tij Telegram. Një version i tretë që qarkullon nëpër mediat ruse dhe rrjetet sociale, tregon se kampioni është dehur pranë parlamentit dhe ka pësuar aksidentin në gjendje të dehur.

Karpov është një deputet nga Rusia e Bashkuar, partia e Vladimir Putin. Nga ana tjetër, vajza e tij e ka mohuar këtë version, e cila gjithashtu thekson se sulmi ka ndodhur të shtunën e kaluar. Sipas Federatës Ruse të Shahut, gjendja e Karpov është “rezultat i një rënie”.

Karpov, 71 vjeç, ishte kampion bote midis viteve 1975 dhe 1985, kur u mund nga bashkatdhetari i tij rus Garry Kasparov, që gjithashtu është deputet i Dumës, dhoma e ulët e parlamentit rus.

Karpov aktualisht ndodhet në repartin e kujdesit intensiv të repartit të neurologjisë në spitalin Sklifosovski në Moskë, një nga qendrat mjekësore më prestigjioze në kryeqytetin rus. Presidenti i FIDE-s, Arkady Dvorkovich, ka deklaruar se gjendja e ish-kampionit “është e qëndrueshme”.

Kanali rus ‘Telegram 112’ tregon se shahisti ishte gjetur pa ndjenja pranë selisë së Dumës ruse të shtunën e kaluar dhe se mjekët e kishin diagnostikuar me dëmtim në kokë, frakturë në kofshën e djathtë dhe një gjendje të fortë dehjeje.

Agjencia ruse ‘RIA Nóvosti’ konfirmoi me burime spitalore se ish-shahisti është pranuar në gjendje të rëndë, megjithatë ajo përmendi mohimin e shefit të marrëdhënieve me publikun të Federatës Ruse të Shahut, Kiril Zangalis, i cili mohoi se ishte një sulm. “Informacioni se Anatoly Karpov është sulmuar nuk përputhet me realitetin. Është lajm i rremë,”- tha ai.

Shpërndaje në

U Kopjua