Live

Ish-ministri Çeku: Nuk mund t’i ikim shtrenjtimit të energjisë

14:24 / 01 Mars 2025

Nga Kosova Live

Debati për rritje të mundshme të rrymës ka filluar pasi tri kompanitë energjetike në Kosovë, KEDS, KESCO dhe KOSTT, kanë kërkuar nga Zyra e Rregullatorit për Energji ngritjen e çmimit të tarifave të energjisë elektrike për shkak të importit të energjisë elektrike.

Ish-ministri i Energjisë, Ethem Çeku, konsideron se çmimi i energjisë elektrike do të rritet deri në 15 për qind dhe se s’mund t’i iket shtrenjtimit.

“Realisht, Kosova po përballet me mungesë të energjisë. Dimrit, që jemi aktualisht, patëm mungesa të mëdha në furnizim të qytetarëve me energji elektrike. Kjo vjen si pasojë e mungesave të mëdha në investime, do të thotë ne nuk kemi ndërtuar kapacitete të reja energjetike. Ato të cilat janë ndërtuar, janë kryesisht solare dhe janë me kapacitete të vogla, janë të pamjaftueshme, edhe me erë ato që janë – janë të pamjaftueshme për ta furnizuar Kosovën në mënyrë të rregullt me energji elektrike”, tha ai në një intervistë.

Çeku ka folur edhe për kërkesën e kompanive që të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike.

“Unë besoj që zyra [ZRRE] duhet të analizojë me kujdes, nuk duhet ta pranojë rritje për 35 për qind, se është rritje shumë e madhe e energjisë elektrike. Qeveria duhet të ofrojë subvencione, pra ndihmesë që të mos ngarkohet qytetari, megjithëse ato janë para të buxhetit. Po bëjmë një lojë, një sjellje atje. Unë besoj që nuk duhet ta kalojë mbi 15 për qind e rritjes së tarifave të energjisë. Zyra e Rregullatorit nuk duhet ta pranojë shifrën prej 35 për qind”.

“Normalisht, nuk mund t’i ikim. Nuk mund të ikin. Ky është koncept i gabuar që e kanë instaluar partitë politike, Qeveria aktuale që ka thënë se ‘kur të vij unë në pushtet, kurrë s’e rriti (çmimin) e energjisë’. Në fushën e energjisë, të përmbysë revolucioni energjetik, nuk njeh qeverisje, se nuk varet prej teje, varet nga tregjet, nga bursat atje, në kohën e COVID-it, pastaj në vitin 2022 dhe 2023, arriti deri në 700 euro megavati”, ka deklaruar Çeku.

https://www.evropaelire.org/a/33332569.html

Shpërndaje në

U Kopjua